Gjermania doli me “kokën ulur” nga Kupa e Botës për të dytën herë radhazi pasi ashtu si në vitin 2018, “Die Mannschaft” nuk mundi të kalonte përtej fazës së grupeve. Kombëtarja zhgënjeu në paraqitjet e saj sidomos ndaj Japonisë, humbje që i kushtoi në bilancin e përgjithshëm si dhe rëndoi “klimën” në dhomat e zhveshjes.
Së fundmi, është SportBild ajo që nxjerr në pah një nga arsyet e dështimit gjerman teksa shkruan se një pjesë e mirë e lojtarëve ishin kundër trajnerit Hansi Flick pasi sipas tyre ai po favorizonte futbollistët e Bayern Munich.
Në krye të këtij rebelimi sipas SportBild ka qenë Kai Havertz i Chelsea, i ndjekur nga Ilkay Gundogan i Manchester City ndërsa në të njëjtën linjë ka qenë edhe Marc-Andre Ter Stegen. Këta të fundit akuzojnë Flick se favorizoi lojtarë si Muller, Goretzka apo Neuer.
Kujtojmë se Flick më parë ishte në krye të bavarezëve dhe me disa lojtarë ruante raporte shumë të ngushta, megjithatë pretendimet e SportBild mbeten të paprovuara me “aktorët” e përfshirë që ende nuk ka reaguar. Nga ana tjetër, Flick është gjithnjë e më shumë në dyshimë nëse do të vijojë karrierën në krye të kombëtares teksa dështimi në Botëror pritet të shoqërohet me pasoja për 57-vjeçarin.
