Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Federer tërhiqet nga Masteri i Parisit, Nadal kërkon të jetë numri 1 në botë!

Në kryeqytetin e Francës filloi Mastersi i Parisit, turneu përmbyllës i kësaj kategorie, që do të përcaktojë përfundimisht edhe dy pjesëmarrësit e fundit për në finalen e sezonit, kompeticionin ATP World Tour Finals, që do të zhvillohet në Londër në mesin e muajit të ardhshëm, me 8 tenistët më të mirë të vitit 2019. Siç dihet për turneun e përvitshëm që do të mbahet sërish në kryeqytetin britanik janë kualifikuar Rafael Nadal, Novak Djokovic, Roger Federer, Daniil Medvedev, Dominic Thiem dhe Stefanos Tsitsipas, ndërsa shumë pranë është edhe dyshja Alexander Zverev-Matteo Berrettini,ndërkaq shpresa të mëdha kanë gjithashtu edhe emra të tillë si Roberto Bautista Agut, Gael Monfils, David Goffin dhe Fabio Fognini.  Lajmi i ditës së hënë ishte padyshim tërheqja nga edicioni i 48-të i turneut parizien i veteranit zviceran Roger Federer. Numri 3 i botës, që në kryeqytetin francez e ka fituar vetëm një herë të vetme turneun e përhershëm indoor, tetë vjet më parë, kur mundi në finale pikërisht tenistin vendas Jo-Wilfried Tsonga në dy sete, me keqardhje deklaroi se nuk mund të marrë dot pjesë në edicionin e sivjetshëm në Paris-Bercy. Ditën e dielë Roger Federer siguroi trofeun e 103 ATP në karrierë, teksa mposhti në finale në vetëm dy sete australianin Alex De Minaur, për të shënuar emrin për herë të 10 në turneun e Bazelit, qytetit të tij të lindjes, sidoqoftë pavarësisht se konsiderohet si tenisti më i madh në historinë e aktiviteteve që luhen në fusha të mbyllura, në mënyrë të kuptueshme në moshën 38-vjecare tenisti helvet do të bëjë cmos për të ruajtur energjitë, për t’u përfaqësuar sa më mirë në O2 Arena të Londrës, pas dy javësh në turneun e 8 tenistëve më të mirë të sezonit.

Në Palais Omnisports Roger Federer do të zëvendësohet nga veterani italian Andreas Seppi, që tashmë kalon direkt në turin e dytë si “lucky loser”. Në Paris këtë javë do të rikthehet Rafael Nadal, që nuk aktivizohej që nga turneu Laver Cup, për arsye të një dëmtimi në dorën e majtë. Për hir të së vërtetës Rafa nuk ka fituar asnjëherë në karrierë në Shangai, Bazel, Vjenë, Paris, Valencia kur ky turne kishte vlerën e 500 pikëve dhe luhej në arena të mbyllura, por mbi të gjitha as në finalet e sezonit, në aktivitetin e tetë tenistëve më të mirë të vitit. Arsyet pak a shumë kuptohen, pasi sportisti më i famshëm spanjoll i këtyre dy dekadave të fundit, shkon përgjithësisht i fikur dhe pa shumë energji në muajt e fundit të sezonit. 10 ditë më parë 33-vjecari nga Majorka u martua në ishull me Xisca Perello-n, me të cilën Rafa është lidhur që në vitin 2005 dhe vetëm dy ditë më pas tenisti iberik iu rikthye përsëri fazës përgatitore. Rafael Nadal ndodhet prej pesë ditësh në kryeqytetin francez, madje ditën e shtunë tenisti spanjoll u stërvit në Paris bashkë me numrin 1 të botës Novak Djokovic.

Në klasifikimin e përgjithshëm Nole kryeson me vetëm 320 pikë më shumë se sa Rafa, ndërsa në renditjen e vitit 2019, ku llogariten vetëm pikët e grumbulluara gjatë këtij sezoni, Nadali numëron plot 1280 pikë më tepër se tenisti nga Serbia. Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme në kalendar, pasi në këto tre javë do të përcaktohet edhe fati i numrit 1 të botës. Me vetëm dy fitore 33-vjecari nga Manakori do të ngjitet në kuotën e 50 fitoreve përsa i përket këtij sezoni, ecuri që mund të arrihet për herë të 11 në karrierë nga tenisti i famshëm iberik. Në Paris kampioni në fuqi është tenisti rus Karen Khachanov, që edicionin e kaluar mposhti në finale 7-5, 6-4 pikërisht 32-vjecarin Serbia, pra Nole në Francë gjithsesi ka plot 600 pikë për të mbrojtur, krejt ndryshe nga Rafa që vitin e kaluar nuk mori pjesë për shkak të problemeve abdominale.

Pavarësisht rezultateve në Mastersin e Parisit më datë 4 nëntor është e sigurtë që Nadali do të rikthehet në catinë e botës. Tenisti spanjoll ka fituar 28 nga 29 ndeshjet e fundit, e përjashtim bën vetëm disfata me Federerin në Wimbledon, gjithsesi turneu i Parisit është një turne indoor dhe numri 2 i botës për momentin ka fituar vetëm 2 nga 84 kompeticionet indoor ku ka marrë pjesë. I pyetur nga gazetarët tenisti spanjoll shpjegoi se kreu në renditjen botërore është diçka që i intereson vërtet shumë, sepse në mënyrë të kuptueshme preferon më mirë të jetë numri 1 se sa numri 2 në këtë lloj klasifikimi. Nadal që në dheun e kuq të kryeqytetit francez ka ngritur plot 12 herë Kupën e Musketierëve, në Paris kërkon trofeun e 36 Masters në karrierë, sidoqoftë me një sukses të tillë Rafa do t’i garantonte vetes mbylljen për herë të pestë të një viti në catinë e botës, duke u barazuar në këtë mënyrë me emra si Roger Federer, Novak Djokovic dhe Jimmy Connors.

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...