Edhe pse mes shumë polemikash pas disfatës me Japoninë në fazën e grupeve, Spanja ia doli të kualifikohej në raundin e 1/8-tave në Kupën e Botës dhe tashmë kundërshtari i radhës është Maroku.
Iberikasit, zbresin në fushë ditën e martë, mirëpo para kësaj përballje trajneri Luis Enrique iu lejoi të besuarve të tij disa ditë pushimi teksa Ferran Torres një nga titullarët e formacionit të La Roja-s e shijoi vërtet ditën e lejes teksa së bashku me të dashurën e tij, Sira Martinez, e cila është vajza e trajnerit të Spanjës, vizitoi më në imtësi Katarin. Sigurisht, dyshja e cila ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në raste të tjera, nuk arriti t’i shpëtojë medias.
Interesant është fakti se dyshja vizitoi Al Maha Island në Lusail, që është në vendin ku do të luhet finalja ku me siguri Ferran shpreson që të rikthehet sërish, këtë herë jo për turizëm. Ferran Torres e nisi lidhjen me Siran në vitin 2021, kohë kur ishte ende pjesë e Manchester City duke ia dalë të mbanin një lidhje në distancë. Megjithatë, kjo vetëm për pak kohë pasi Ferran u transferua në Barcelonë, aty ku jeton edhe Sira.
