Egnatia luan shansin e fundit për të qëndruar edhe për një vit në mesin e skuadrave më të mira në Shqipëri, në “Abissnet Superiore”. Skuadra e Ramadanit do të pres në shtëpi, në “Egnatia Arena” skuadrën e Korabit, në sfidën “Play-Off” të këtij sezoni.
Rrogozhinasit u rikthyen në elitë këtë sezon pas 16 vitesh, por përjetuan një sezon të vështirë dhe me shumë luhatje, aq sa në 6 ndeshjet e fundit, Egnatia koleksionoi vetëm një pikë, në javën fundit përballë Dinamos. Të besuarit e Ramadanit e mbyllën edicionin në vendin e tetë me 35 pikë, por në shtëpi, rrogozhinasit nuk krijuan një rendiment të mirë, me vetëm 4 fitore, 4 barazime dhe plotë 10 humbje.
Në krahun tjetër, dibranët kërkojnë rikthimin pas 6 sezonesh, pas rënies nga elita në sezonin 2016-2017. Korabi, në Kategorinë e Parë, këtë edicion zhvilloi një kampionat të mirë dhe e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë me 59 pikë. Në fazën “Play-Off”, dibranët nxorën nga gara Tomorin dhe Apoloninë dhe tashmë kërkojnë një biletë për në elitë, në “trenin e fundit”.
Egnatia dhe Korabi janë njohje të vjetra, pasi për herë të fundit janë vendosur përballë njëra-tjetrës në Kategorinë e Parë në sezonin 2019-2020, ndërsa në 16 ndeshjet e fundit direkte gjithçka është e barabartë, me 6 fitore secila, ndërsa 4 takime janë mbyllur në barazim.
Vendasit, të besuarit e Ramadanit do të kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum eksperiencën e fituar këtë sezon në elitë dhe gjithashtu edhe faktorinë “fushë”, pasi sipas rregullores, Korabi është “i dënuar” për të luajtur në transfertë dhe është një duel i cili do të vendoset të martën e 31 majit, pa ndeshje kthimi.