Fitoi Kupën e Kosovës, klubi dardan prezanton brazilianin që nuk la gjurmë te Partizani

Llapi fitoi Kupën e Kosovës për herë të dytë në histori. Skuadra nga Podujeva do të garojë në Conference League, aty ku do të sfidojë malazezët e Buducnost Podgorica në raundin e parë.
Klubi dardan ka nisur merkaton me Fernando Augusto. Mbrojtësi i majtë është përforcimi i parë për Llapin. 28-vjeçari brazilian u transferua te Partizani në janar, por luajti vetëm 46 minuta me “Demat”.
“Klubi jonë, KF Llapi njofton për arritjen e marrëveshjes 1 vjeçare me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër me mbrojtësin e majtë, brazilianin Fernando Augusto.
28-vjeçari ishte pjesë e disa skuadrave në Brazil, po ashtu pjesë e Makedonija Gjorce Petrov për një sezon e gjysmë, me të cilët arriti të realizojë 7 gola e 12 asistime si dhe tek Pelister, ku arriti të realizojë 1 gol e 7 asistime.
Fernando Augusto sot ka firmosur kontratën dhe do t’i bashkohet ekipit menjëherë në stërvitjen e pasdites.
Fernando do ta forcojë fazën e mbrojtjes sonë dhe do jetë i gatshëm të paraqitet për ekipin nga ndeshja e raundit të parë kualifikues të Uefa Conference League ndaj FK Buducnost Podgoricës”, shkruan klubi nga Podujeva.
