Peshëngritje

Fitoi tre medalje në Botëror, kush i mori lekët e Briken Caljes?!

Peshëngritja është një nga sportet që në vitet e fundit i ka sjellë shumë suksese vendit tonë, por në pjesën më të madhe të rasteve sportistët që kanë arritur të nderojnë flamurin dhe kombin nuk kanë marrë mbështetjen e duhur financiare. Briken Calja është një nga peshëngritësit më të dalluar të vendit tonë, teksa së fundmi arriti që të marrë tre medalje në kampionatin europian të zhvilluar vitin e shkuar në Rusi dhe tre medalje në kampionatin botëror të zhvilluar në Uzbekistan, në fund të vitit të shkuar.

Sipas ligjit të ndryshuar për menaxhimin e buxhetit për sportin, për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, të cilët përfitojnë statusin e nivelit të lartë, Calja do të përfitonte shumën e 19 900 000 (nëntëmbëdhjetë milion e nëntëqind mijë) lekë, për gjashtë medaljet që ai ka marrë. Diçka e tillë dëshmohet përmes një dokumenti të ministrisë së arsimit dhe sportit, që daton në datën 21 prill.

Megjithatë, Calja, përmes një reagimi zyrtar në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur skandalin se në llogarinë e tij është depozituar vetëm shpërblimi për medaljet e kampionatit europian. E thënë ndryshe, vetëm 2 100 000 lekë (dy milion e njëqind mijë) lekë. Një skandal që njollos sportin e peshëngritjes!

Vetë Calja akuzon Federatën e Peshëngritjes së nuk ka kaluar shumën e dytë të akorduar nga ministria, duke deklaruar se diçka e tillë është lehtësisht e vërtetueshme, përmes transaksioneve bankare.

Në lidhje me Federatën e Peshëngritjes, doja thjesht të shprehja keqardhje për gënjeshtrat dhe hipokrizitë e vazhdueshme në lidhje me këtë temë. Nëse në llogarinë e Brikenit ka ardhur shpërblimi i plotë i medaljeve siç Federata pretendon, kjo është lehtësisht e verifikueshme. Në llogarinë e Brikenit ka kaluar vetëm urdhri i parë i Ministrisë, siç dhe unë kam rënë personalisht dakord për ndarjen e shpërblimit në pjesë.

Çdo transaksion bankar është lehtësisht i verifikueshëm në sistemet bankare dhe në Thesarin e shtetit, kështu që t’i lëmë mënjane hipokrizitë dhe gënjeshtrat, por t’i japim drejtim punës siç duhet. Mbaj përgjegjësi morale e ndoshta edhe me tepër për fjalitë e fundit në lidhje me Federatën e Peshëngritjes dhe procedurat e shpërblimit financiar!“, saktëson në postimin e tij Calja.

Pak ditë më parë peshëngritësi kuqezi kishte postuar një foto ku shkruante: “2 gabimet e mia në karrierë! Besimi i tepërt me personat e gabuar. Tolerimi me shumë seç duhet… Së shpejti do marrin përgjigjen e duhur”.

Vetëm pak minuta pas postimit të Caljas në lidhje me skandalin e treguar nga ai ka reaguar dhe Federata e Peshëngritjes, që përmes një postimi në faqen e saj në Instagram, ku thuhet se pjesën më të madhe të shpërblimit Calja e ka marrë, ndërsa pjesën e mbetur do e tërheqë në datën 12 korrik.

Është e vërtetë që sportisti Briken Calja, shpërblimin e ka marrë javën e kaluar prej 178 milionë lekë të vjetra. Pas dorëzimit të aktit noterial, diferenca prej 10 milionë lekë të vjetra do t’i kalojë sportistit Briken Calja në datën 12.07.2022”, thuhet në postimin e federatës së peshëngritjes, që e shoqëron dhe me një foto të një transaksioni ku mund të shihen vetëm vlerat, ndërsa nuk dallohen vulat apo elementët zyrtar që konfirmojnë lëvizjen bankare.

Një skandal që përfshin një nga disiplinat e cila na ka dhënë shumë kënaqësi në vitet e fundit, por pa diskutim që me ngjarje të tilla na kthen shumë vite pas, me pikëpyetjen e madhe: kush i mori lekët e Brikenit?

TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE

QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency