Sadiku, asist dhe shtyllë në fitoren e Legias
Në shërbim të skuadrës dhe i pafat në fund. Armando Sadiku arriti të bëhej protagonist në fitoren 3-1 të Legias së Varshavës përballë Piast Glivicesm, edhe pse u aktivizua nga stoli në minutën e 58-të. Sulmuesi kuqezi dha në të 58-ën asistin e golit të dytë të realizuar nga braziliani Gijerme, ndërsa në minutat e fundit të lojës shtylla i prishi festën. Pas suksesit në javën e pestë, Legia kthehet te fitoret në kampionat dhe ngjitet përkohësisht në vendin e gjashtë në renditje.
Sokol Cikalleshi debuton me Bashaksehir
Edhe pse e ardhmja e Sokol Cikalleshit mbetet një rebus, sulmuesi shqiptar debutoi me Instambul Bashaksehir në lëtë sezon. Kuqeziu luajti në ndeshjen hapëse të kampionatit, ku skuadra nga Stambolli fitoi 1-0 ndaj Bursasporit. Përballë një prej ekipeve që e kërkojnë në merkato, Cikalleshi u aktivizua në minutën e 73-të, ndërsa Bashaksehiri e nisi me sukses kampionatin, falë golit të realizuar nga ish-juventini Elia në gjysmën e pjesës së parë të ndeshjes.
Berisha titullar ndaj Valencias, Atalanta fiton trofeun “Naranja”
Etrit Berisha dhe Atalanta vazhdojnë të shkëlqejnë në testet përgatitore përpara startit të sezonit të ri. Pas Lilës dhe Borusias së Dortmundit, bergamaskët mposhtën 2-1 edhe Valencian. Sfida në “Mestaja” u vendos nga golat e Toloit dhe Palominos, ndërsa Berisha tregoi vlerat e tij përballë ish-juventusit Xaxa, të cilit i mohoi golin. Në fund Atalanta fitoi trofeun “Naranja”, ndërsa skuadra e Gasperinit tregoi se është gati për rikthimin në kupat e Europës pas 26 viteve mungesë.
