Kategoria Superiore

Fitorja me Lushnjën “oksigjen” për Vllazninë, por mendja është te Teuta

Ende nuk kemi arritur asgjë, para kemi një tjetër finale, për ne çdo ndeshje është e tillë. Ka qenë ky lajtmotivi i trajnerit Ernest Gjoka në analizën pas fitores me Lushnjën te Vllaznia. Suksesi ndaj myzeqarëve ka qenë padyshim tejet i rëndësishëm për të rikthyer deri diku buzëqeshjen në Shkodër pas një presioni asfiksues mbi skuadrën por të Vllaznia nuk kanë lluksin për të qenë për asnjë moment të kënaqur me pozitat në klasifikim që dikutojnë një luftë të ethshme për mbijetesën. Kjo që nis është një javë ndoshta edhe më vendimtare në Shkodër. Të dielën në Loro Boriçi zbarkon rivali direkt për mbijetesën, Teuta, një nga ato ndeshje ku fitorja vlen jo 3 por 6 pikë dhe fokusi është i gjithi për përballjen me bregdetarët që tani janë lënë pas në klasifikim. Pa impenjime në Kupë, Vllaznia ka gjithë kohën e nevojshme për ta përgatitur ndeshjen me përqëndrimin e duhur, dhe në skuadër kryqëzojnë gishtat edhe për pak më tepër qetësi pas trepikëshit me Lushnjën. Tensioni konsiderohet në fakt nga vetë lojtarët dhe stafi si një faktor që e penalizon ekipin duke shkaktuar edhe një lloj ngërci psikologjik që shpresohet të jetë hedhur pas, për të siguruar një sukses thelbësor për shanset e mbijetesës me Teutën. Për sfidën me bregdetarët trajnerit Gjoka i rikthehen në dispozicion Krymi dhe Cinari ndërkohë që trajneri pretendon që gradualisht të marrë një kontribut edhe më të rëndësishëm nga afrimet e janarit që kanë nevojë për kohën e nevojshme për tu integruar si duhet me skuadrën.

To Top