Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Flavio Sulejmani, talenti që po rritet te Kombëtarja U-17 shënjestron majat e futbollit!

Ai është prej disa kohësh lojtar fiks në ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, por veçanërisht vitin e fundit paraqitjet e tij kanë qenë mbresëlënëse, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë futbolldashësve. Sulmuesi Flavio Sulejmani realizoi tre gola në turneun UEFA Development U-16 që u zhvillua në Shqipëri në muajin prill, duke qenë protagonist absolut me golat dhe lojën e tij në tre fitoret që regjistroi Shqipëria U-16 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku. Por kjo nuk ishte rastësi, pasi goleadori i formuar në akademinë e Interit të Milanos, ka treguar talentin e tij në çdo ndeshje me fanellën kuqezi në çdo ekip të moshave.

Në intervistën e tij për Fshf.org, Sulejmani tregon për hapat e tij të parë në futboll dhe momentet kyçe të karrierës së tij deri më tani. Idhulli i tij kuqezi është Armando Broja, shembullin e të cilit shpreson ta ndjekë, ndërkohë që kur pyetet për objektivat që i ka vënë vetes, sulmuesi 16-vjeçar nuk ka limite dhe shprehet se një ditë dëshiron të fitojë Topin e Artë.

– Flavio, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Lidhja ime me futbollin ka nisur që në moshën 5 vjeç, sepse më pëlqente shumë. Njeriu që më ka nxitur më shumë të merresha me futboll është babai im, por në fakt në familjen time të gjithë kanë luajtur futboll në të kaluarën, ndonëse jo në nivele profesionale, dhe kanë qenë gjithmonë shumë të apasionuar pas këtij sporti, që nga babai, xhaxhi madje edhe gjyshi.

– Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

– Një nga arsyet që më motivon më shumë për të vazhduar rritjen me këtë profesion është ëndrra, që disa nga familjarët e mi nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë realitet, edhe pse kanë luajtur futboll dikur për t’u bërë profesionistë. Gjithashtu, dua të ngre sa më lart mbiemrin e familjes sime edhe për sakrificat që kanë bërë, duke më mbështetur dhe nxitur në çdo hap të jetës sime, që kur isha i vogël dhe vazhdojnë ta bëjnë edhe tani. Përveç të tjerash, dua shumë të kem sukses edhe për të plotësuar një ëndërr të gjyshit tim, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë dhe mendoj që ai tashmë është engjëlli im mbrojtës.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Sigurisht, personi që më ka këshilluar gjithmonë dhe vazhdon të më këshillojë në karrierën time në futboll është babai im. Më qëndron gjithmonë pranë në çdo hap që bëj dhe është një nga mbështetësit e mi më të mëdhenj.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga ekipet Kombëtare të moshave?

– Duke qenë se unë jam rritur në Itali shprehja e parë që më vjen në mendje është “a settimo cielo”, që në gjuhën shqipe do të thotë në qiellin e shtatë. Kështu jam ndjerë, ka qenë një ndjesi fantastike kur më është dhënë mundësia e parë për të veshur fanellë kuqezi. Mbetet e paharrueshme për mua.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Dua të veçoj faktin se dikur i kisha premtuar gjyshit, me të cilin kam pasur një marëdhënie të veçantë, që një ditë do të më shikonte në majat e futbolli, por ndonëse gjyshi i nda nga jeta në moshën më të mirë të karrierës sime, mendoj se e kam bërë sadopak krenar për aq kohë sa ai pati mundësi të më shikonte duke luajtur futboll..

– Sa i rëndësishëm është goli për ju? Ka ndonjë gol që nuk e harroni?

– Goli për një sulmues si unë ka shumë rëndësi sepse më motivon në çdo sekondë që jam në fushën e lojës. Goli qe nuk do ta harroj kurrë është ai që shënova me Kombëtaren në turneun UEFA Development në prill të këtij viti kundër Irlandës së Veriut e që unë ia dedikova gjyshit tim. Ai do të mbetet goli më i bukur për mua padyshim.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

– Aktualisht ka shumë lojtarë të shkëlqyer që luajnë futboll nëpër Europë, por ai që më pëlqen më shumë për momentin është sulmuesi shqiptar, Armando Broja, të cilin e shoh si shembull për t’u ndjekur. Ndërsa nga të huajt shembuj frymëzimi për mua mbeten dy sulmuesit e famshëm, Zlatan Ibrahimovic edhe Erling Haaland.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll?

– Nuk dua t’i vendos limite vetes, dua të marrë maksimumin nga futbolli, pasi e dua shumë këtë sport. Është pak herët për të folur në lidhje me objektiva, sepse jam i ri akoma, por synimi im madhor është që një ditë të fitoj “Topin e Artë”. Nuk ka asgjë të pamundur!

 

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...