Tenis

Forma e dobët, Sharapova ‘divorcohet’ nga trajneri

Pas eliminimit që në turin hapës, nga 20-vjecarja haitiano-japoneze Naomi Osaka, që pozicionohet e 44-ta në klasifikimin e përgjithshëm WTA, ish-numri 1 i botës Maria Sharapova vendosi për t’u ndarë përfundimisht nga trajneri i saj Sven Groeneveld. Tenistja ruse që numëron plot 5 tituj Slam, nuk po del dot nga kriza e thellë dhe 11 muaj pas rikthimit, Masha ka rrëshqitur deri në vendin e 41-të në renditjen botërore.

30-vjeçarja siberiane duket se preku fundin pikërisht në Indian Wells në turneun e famshëm kalifornian, që konsiderohet edhe si Slami i 5-të i sezonit, për shkak të numrit të madh të tenistëve që marrin pjesë, gjithsesi eliminimi me një teniste si Naomi Osaka bën që Sharapova të reflektojë dhe të marrë një vendim të tillë, që pritet të sjellë shumë ndryshime, duke filluar ndoshta që nga përgatitja e saj fizike dhe teknike.

Për hir të së vërtetës, karriera e Mashës ndryshoi ndjeshëm që më 7 marsin e vitit 2016, ditën kur veterania ruse pranoi publikisht në një konferencë për shtyp se kishte rezultuar pozitive në testet e antidopingut, me substancën e ndaluar meldonium. Asokohe Sharapova ishte e 7-a në planet, sidoqoftë ashtu siç pritej Maria u rikthye në prillin e vitit të kaluar dhe të shumtë ishin ata që menduan se tenistes siberiane do t’i mjaftonin vetëm disa javë për t’u futur mes 10 tenisteve të para të klasifikimit WTA, për më tepër pa rivalen e përjetshme Serena Williams në qarkullim, për shkak të shtatzënisë.

Duke lënë mënjanë suksesin e muajit tetor në Tianjin, Sharapova ka zhgënjyer shumë në kompeticionet Slam ku ka marrë pjesë, në US Open dhe Australian Open, por mbi të gjitha edhe në turnetë e tjerë të Kategorisë Premium, në Madrid, Romë dhe Pekin. Pikërisht për këtë arsye Masha duket se hoqi dorë nga trajneri historik Sven Groeneveld, me të cilin tenistja më e famshme ruse ka fituar 7 tituj, ku përfshihet gjithashtu edhe triumfi në Roland Garros, në vitin 2014.

Sikur të mos mjaftonin dëmtimet e shumta, shpërqendrimi i kuptueshëm për shkak të bizneseve të saj apo qoftë edhe impenjimet universitare, Maria Sharapova tani duket mbi peshë dhe qëndrimi për një vit jashtë fushave të lojës duket se ka ndryshuar ndjeshëm edhe përkushtimin e saj për këtë sport si dhe metodat e stërvitjes, sidoqoftë pas eliminimit në Indian Wells 30-vjeçarja premtoi se do të rikthehej sërish në Kaliforni për turneun e vitit tjetër, ndërsa si objektiv madhor për të ardhmen tenistja siberiane përcaktoi Lojërat Olimpike të Tokios, në vitin 2020.

Maria Sharapova kishte katër vjet që bashkëpunonte me Sven Groeneveld, gjithsesi 52-vjeçari holandez konsiderohet si një ndër trajnerët më të mirë të tenisit të femrave, pasi më herët ka stërvitur gjithashtu edhe emra të tillë të famshëm si Monica Seles, Arantxa Sanchez Vicario, Mary Pierce, Ana Ivanoviç apo dhe numrin 2 të renditjes aktuale Caroline Wozniacki.

To Top