Interi u rikthye pas 13 vitesh në finalen e Champions League. Skuadra e fundit italiane që ka fituar trofeun e madh, do të sfidojë Manchester City në finalen e madhe të Stambollit (10 qershor).
Viti 2010 mbetet i paharrueshëm për popullin zikaltër. Interi nën drejtimin e Jose Mourinhos dhe me një grup lojtarësh ku shumica kishin mbërritur në “limitet” e karrierës, fitoi tripletën.
Në finalen e Madridit përballë Bayern Munchen, Diego Milito me dy golat e tij ngjyroste zikaltër kupën me veshë të mëdhenj. Pas 40 vitesh dhe për herë të tretë në histori.
Po ku janë sot dhe çfarë bëjnë heronjtë e tifozëve të Interit?
JULIO CESAR
Braziliani është bërë agjent sportiv pasi e mbylli me futbollin. Aktualisht punon si komentator teknik për ndeshjet e Champions League në Prime Video.
PAOLO ORLANDONI
Portieri i tretë historik i Interit gjatë epokës Mourinho, por jo vetëm. Orlandoni mban postin e trajnerit të portierëve te Sassuolo.
FRANCESCO TOLDO
Pjesë e klubit: ai është përgjegjës për projektet e Inter Campus dhe Inter Forever.
LUCIO
Ish-mbrojtësi i fortë brazilian është larguar nga bota futbollistike pas tërheqjes. Nuk ka zgjedhur të bëhet trajner apo menaxher, të paktën deri tani.
MAICON
U tërhoq nga futbolli në vitin 2021. Pasi vendosi të rikthehej në Itali, duke luajtur me amatorët e Somma dhe Tre Penne.
IVAN CORDOBA
Kolumbiani është një legjendë e Interit. Aktualisht mban postin e drejtorit të zonës sportive të Venezias.
DAVIDE SANTON
Problemet fizike dhe dëmtimet e shumta e detyruan të tërhiqej një vit më parë, duke i dhënë fund aventurës te Roma.
MARCO MATERAZZI
Matrix është larguar nga futbolli, por nuk e ka braktisur akoma lojën e tij të preferuar. Ka hapur një qendër Padeli në Perugia. I është futur botës së biznesit, zotëron edhe një dyqan këpucësh në Milano. Mbetet shumë i lidhur me Interin. Derbin e fundit ndaj Milanit e shijoi si ultras në Curva Sud.
CHRISTIAN CHIVU
Rumuni nisi karrierën e trajnerit pasi vari këpucët në gozhdë. Për momentin drejton skuadrën e të rinjve të Interit.
JAVIER ZANETTI
Kapiteni i përjetshëm i zemrave zikaltër, vijon të jetë pjesë e familjes. Zanetti mban postin e zv presidentit të Interit prej vitit 2014.
GIULIO DONATI
Ishte i ri në vitin 2010. Pjesë e tripletës, edhe pse nuk luajti asnjë sekond në Champions, por mori disa minuta në Kupën e Italisë. 33-vjeçari është pjesë e Monza në Serie A.
RENE KHRIN
Një tjetër lojtar i ri i skuadrës së 13 viteve më parë. Slloveni qëndron pa ekip prej verës së vitit të kaluar, kur i dha fund eksperiencës në Australi me Western United.
WALTER SAMUEL
“Muri” argjentinas nuk është shkëputur nga futbolli. Ishte pjesë e stafit teknik të kombëtares së Argjentinës, fitues të Kupës së Botës Katar 2022.
MCDONALD MARIGA
Ish-mesfushori nga Kenia iu fut politikës pas tërheqjes nga futbolli. 36-vjeçari kandidoi për deputet në zgjedhjet e vitit 2019 në vendlindje.
ESTEBAN CAMBIASSO
Pasi provoi aventurat në Angli (Leicester City) dhe Greqi (Olympiacos) në vitet e fundit të karrierës, argjentinasi u bë komentator televiziv. Aktualisht për Sky Sport.
THIAGO MOTTA
Nuk mund të qëndronte larg futbollit. Është bërë trajner, drejton Bologna në Serie A.
Lexo edhe:
- Haaland, për titullin në sezonin debutues te City: Joreal, do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës sime
- DigitAlb – Zgjedhja e vetme për Shqiptarët dhe Diasporën
- Nga kualifikimet europiane, te sukseset në kampionate/ Rekordet e trajnerit Ilir Daja!
- Marca zbulon Uzunin, rrëfimi në 360 gradë i sulmuesit: Përballja me Ronaldon dhe premtimi ndaj vetes!
SULLEY MUNTARI
U tërhoq në nëntorin e vitit të kaluar, në moshën 38-vjeçare. Vitin e fundit e kaloi në vendlindje, Gana, me skuadrën e Hearts of Oak.
DEJAN STANKOVIC
Si Thiago Motta, edhe serbi është bërë trajner. Qëndron në stolin e Sampdorias, skuadër që vitin tjetër do të garojë në Serie B.
RICARDO QUARESMA
Portugezi i talentuar luan ende, por pa skuadër për momentin. 39-vjeçari pushon prej korrikut të vitit 2022, kur u nda me Vitoria Guimaraes.
WESLEY SNEIJDER
Një ndër lojtarët vendimtar në arritjen e fitimit të tripletës. Holandezi mbetet një idhull i tifozëve. Bashkë me ta dhe Materazzin e përjetoi rikthimin e Interit në finalen e Champions League. Punon si menaxher dhe komentator televiziv.
GORAN PANDEV
Pas një karriere të gjatë në Itali, sulmuesi maqedonas e mbylli karrierën te Parma gjatë verës së kaluar.
DIEGO MILITO
Ashtu si Julio Cesar, “Princi” është gjithashtu komentator televiziv, për Prime Video.
SAMUEL ETO’O
I vetmi që ka fituar dy tripleta me klube të ndryshme (Barcelona, Inter). Ish-sulmuesi fantastik, aktualisht mban pozicionin e presidentit të federatës së futbollit të Kamerunit, vendit të tij.
MARIO BALOTELLI
Vazhdon luan, por karriera e tij mund të ishte ndryshe, duhet të ishte ndryshe… Për fajin e tij dhe askujt tjetër, është pjesë e Sion në Zvicër.
MARKO ARNAUTOVIC
Tjetër lojtar aktiv. Austriaku vazhdon të shënojë në Serie A. Luan me Bologna dhe ka si trajner Thiago Motta, ish-kolegun e tripletës.
ALEN STEVANOVIC
Sulmuesi i majtë luan në vendlindje, Serbi. Në 2009/2010, ai nuk luajti në Champions League, por vetëm në Kupën e Italisë.
