Gjermania nuk stepet para presioneve të FIFA-s. Organizmi Botëror i Futbollit iu ndaloi përfaqësueseve pjesëmarrëse mbajtjen e shiritit “One Love” në mbështetje të komunitetit LGTB dhe Gjermania gjeti një mënyrë origjinale për të protestuar.
Lojtarët, në foton klasike para ndeshjes ndaj Japonisë, vunë dorën në gojë duke mbyllur gojën në shenjë proteste. Kapitenit Manuel Neuer iu desh të hiqte dorë nga shiriti i kapitenit me shkrimin “One Love”, pasi FIFA njoftoi se do të sanksiononte futbollistët që do të zbrisnin me të në fushë në Katar.
Nga Berlini ndërkohë erdhën të tjera reagime. Ndalimi i shiritit “One Love” nga ana e FIFA-s është i dënueshëm – deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane të Olaf Scholz – ndërkohë që Federata Gjermane doli me një deklaratë ku theksonte se synojnë të japin shembullin dhe vlerat e tyre ndërkombëtare siç janë diversiteti dhe respekti reciprok.
DFB thekson se nuk bëhet fjalë për një mesazh politik dhe se të drejtat e njeriut janë të panegociueshme. Federata gjermane e futbollit e konsideron ndalimin e shiritit “One Love” njëlloj me censurën, dhe prej këtu vjen shpjegimi i gjestit të lojtarëve për të mbyllur gojën.
