Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Franca kërkon kualifikimin në Budapest, Gjermania në një tjetër “test zjarri”

Ndeshjeve të dyta në fazën e grupeve po iu vjen fundi dhe të shtunën pasdite bie në sy menjëherë dueli Portugali – Gjermani, një takim vërtet shumë i rëndësishëm për fatin e dy kombëtareve në këtë grup, që është cilësuar me të drejtë edhe si më i forti në edicionin e 16 të aktivitetit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh. Natyrisht dy vendet paraqiten në këtë takim në pozita krejtësisht të ndryshme, pas rezultateve që regjistruan në ndeshjet e para. Skuadra e drejtuar nga trajneri Joachim Low nuk ka shumë kohë për t’u ankuar për shortin e vështirë që e pozicionoi “mannschaft”-in në “grupin e hekurt”, apo qoftë edhe për kalendarin e tmerrshëm që i përball “panzer”-at me kundërshtarë si Franca dhe Portugalia që në sfidat e para të këtij kompeticioni.

Është e qartë që dueli me Hungarinë mund të shërbejë shumë, për të qetësuar ekipin dhe për të përmirësuar pozitat e kombëtares gjermane, megjithatë në mënyrë të kuptueshme fillimisht “nationalelf” duhet të shkojë deri aty. Një disfatë me Francën është e pranueshme deri diku, duke pasur parasysh se çfarë përfaqësojnë “blutë”, që paraqiten si favoritët e mëdhenj të këtij evropiani, sidoqoftë për gjermanët do të ishte krejtësisht i papranueshëm një eliminim që në fazën e grupeve, sidomos pas figurës së shëmtuar që bëri ekipi i drejtuar nga Joachim Low në botërorin rus, ku kampionët në fuqi u poshtëruan, duke u shkurorëzuar që në raundin hapës, teksa i mbyllën sfidat në grupe në vendin e fundit, pas Suedisë, Meksikës madje edhe Koresë së Jugut.

Pesë vjet më parë ishin pikërisht francezët që i ndëshkuan “panzer”-at në Marsejë, në fazën gjysmëfinale falë dy golave të realizuar nga golashënuesi më i mirë i evropianit të kaluar Antoine Griezmann, ndërsa këtë radhë mjaftoi autogoli i qendërmbrojtësit Mats Hummels, që shënoi edhe rastin e parë në historinë e kampionateve evropiane kur një futbollist i përfaqësueses teutone dërgon topin në portën e tij. Autogolin e fundit në një aktivitet madhor e pati shkaktuar në botërorin e Argjentinës në vitin 1978 Berti Vogts, gjithsesi në Mynih vendasit u shfaqën të lexueshëm dhe krejt të pafuqishëm në lojë. Me një trajner më guximtar kampionët në fuqi të botës do të kishin bërë kërdinë, ndërsa nga ana e tyre futbollistët gjermanë vetëm sa mbajtën topin dhe goditën thjesht një herë të vetme në kuadrat. Kaq ishte vërtet shumë pak për 13.000 të pranishmit në “Allianz Arena”, prandaj në Gjermani të gjithë presin reagimin e ekipit të Joachim Low.

Në Grupin F janë shortuar dy përfaqësueset që kanë fituar dy titujt e fundit botërorë në Brazil dhe Rusi bashkë me Portugalinë, vendin që u kurorëzua para 5 vjetësh në Francë me trofeun Henry Delaunay, kështu që çdo pikë tani konsiderohet si tepër e cmuar. Një pikë nuk do të ishte keq për këto dy ekipe kombëtare, duke pasur parasysh faktin që përfaqësuesja maxhare është thjesht në rolin e “sparring partner” në këtë grup ferri, për më tepër në takimin përmbyllës Hungaria nuk do të ketë më favorin e faktorit fushë, pasi dueli Gjermani – Hungari nuk do të mbahet në Puskas Arena të Budapestit, por në Stadiumin e Bayernit të Mynihut. Trajneri Joachim Low ka grumbulluar si sulmues vetëm katër futbollistë: Kai Havertz, Kevin Volland, Timo Werner dhe Tomas Muller, sidoqoftë 61-vjeçari nga Baden – Wurttembergu ka për detyrë të gjejë zgjidhjet e nevojshme me 9 mesfushorët e tjerë që ka seleksionuar, për të kthyer në rrugën e duhur ekipin që ai drejton.

Gjermania ka rrëshqitur në pozicionin e 12 në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s dhe një tjetër humbje me Portugalinë në shtëpi do ta shndërronte gati – gati në të pashpresë këtë evropian, sepse në mënyrë të kuptueshme gjërat nuk do të ishin më në dorën e tyre dhe një goleadë ndaj Hungarisë në takimin përmbyllës mund të mos mjaftonte. Është e habitshme se sa shpejt ndryshon situata apo humori i një skuadre, sepse pa ato tre gola në fundin e takimit në Budapest në rrethana të ngjashme do të ishte gjithashtu edhe Portugalia. Kampionët në fuqi u frustruan për plot 83’ në kryeqytetin maxhar nga kombëtarja vendase, megjithatë tre golat e shënuar pikërisht në fund ngjitën në kryesim pikërisht përfaqësuesen luzitane pas ndeshjeve hapëse të këtij evropiani. Në moshën 36 vjeç e 130 ditë Cristiano Ronaldo theu rekordin e ukrainasit Andriy Shevchenko si sulmuesi më i madh në moshë që realizon dy herë brenda një takim të fazës finale të një evropiani, por gjithsesi CR7 kaloi gjithashtu me dy gola edhe të madhin Michel Platini, që në kuotën e 9 golave krenohej si golashënuesi më i mirë në historinë e këtij aktiviteti.

Gjermania ka pasur gjithmonë një epërsi të dukshme në sfidat e rëndësishme, në aktivitetet madhore ndërmjet këtyre dy vendeve, sidoqoftë tani gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm. Që nga viti 2006 kur mori drejtimin e deri pak ditë përpara se të startonte botërori rus Gjermania e Joachim Loë kishte pësuar thjesht 7 humbje në total, ndërsa tani në këto 36 muaj befas ekipi teuton numëron plot 9 të tilla. Gjermania ka fituar 4 sfidat e fundit kompetitive ndërmjet këtyre dy vendeve, ku përfshihet edhe triumfi mbresëlënës 4-0 në Arena Fonte Nova të Salvadorit, në vitin 2014 që shënon edhe duelin e fundit mes tyre, një takim që u kushtëzua edhe nga dalja në fundin e pjesës së parë me karton të kuq e qendërmbrojtësit Pepe. Për herë të fundit përfaqësuesja luzitane ka fituar në evropianin belgo – holandez të vitit 2.000 në Roterdam, me shifrat 3-0 falë tre golave të futbollistit anësor Sergio Conceicao, gjithsesi Gjermania kryeson 10-3 me fitore bilancin e përgjithshëm në 18 përballjet ndërmjet tyre. Takimi Gjermani – Portugali do të mbahet në Mynih, në orën 18:00 në Stadiumin “Allianz Arena” dhe do të drejtohet nga kryesori anglez Anthony Taylor.

Më herët, në orën 15:00 vëmendja do të jetë në “Ferenc Puscas” të Budapestit, ku Hungaria vendase do të presë Francën kampione bote. “Gjelat” janë dukshëm favoritë dhe do të kërkojnë fitoren e dytë radhazi në grup, që do të përkthehej edhe në një kualifikim automatikisht për në fazën e 1/8-ave.

Nga ana tjetër vendasit, pas paraqitjes mjaft të mirë për 80 minuta ndaj Portugalisë, do të provojnë të nderojnë veten përpara publikut të tyre, duke marrë qoftë edhe një pikë ndaj kampionëve në fuqi të botës.

Në orën 21:00 do të luhet edhe takimi i fundit i ndeshjeve të dyta të grupeve, ai mes Spanjës dhe Polonisë në “Estadio de la Cartuja” të Sevilla-s. Furia Roja zhgënjeu në debutim, pasi nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Suedisë, ndonëse dominoi për 90 minuta dhe sonte është e dënuar të fitojë, për të mos komplikuar rrugëtimin e saj në Europian.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...