Ligue 1

Franca nën ethet e COVID, në dyshim rifillimi i kampionatit në datën e parashikuar

Ligue 1 rifillon më 7 janar, por situata është e ndërlikuar për shkak të pandemisë. Sipas protokollit më të fundit në Ligue 1, një ndeshje mund të shtyhet nëse, një klub nuk është në gjendje të disponojë 20 lojtarë, përfshirë edhe një portier nga lista zyrtare e 30 lojtarëve të federuar në fillim të sezonit.

Rastet me Covid-19 po shtohen nga dita në ditë në të gjitha skuadrat e kampionatit. Bordeaux, Strasburg dhe Lorient janë skuadrat që po vuajnë më shumë këtë moment, pasi në kampin e Lorient, vetëm në orët e fundit, kanë rezultuar pozitiv pesë lojtarë, të cilët nuk kanë zbritur në stërvitje dhe janë izoluar. Gjithsesi, për momentin nuk ka patur deklarime për emrat e lojtarëve të prekur.

Një tjetër skuadër që ka organikën e prekur është edhe Lyon, ku deri tani të paktën shtatë lojtarë janë konfirmuar me Covid-19, përfshirë edhe Lucas Paquetan i cili aktualisht është i bllokuar në Dubai me familjen e tij. Skuadra të tjera që kanë regjistruar lojtar me koronavirus janë edhe Angers dhe Nantes që deri tani kanë konfirmuar nga dy raste në secilin kamp.

Tani mbetet për t’u parë nëse kampionati do të rifilloj ashtu siç është planifikuar, në javën e parë të muajit janar, apo do të ketë një shtyrje të datës, për të lehtësuar skuadrat që të kalojnë këtë moment të vështirë. Bota e futbollit po vuan përsëri pasojat e rënda të pandemisë, ku fillimisht problematikat kryesore u shfaqën në Angli e më pas në Spanjë, ndërsa tani Franca po përballet me një valë të fortë të Covid-19.

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency