Connect with us

Hi, what are you looking for?

Nations League

Franca pret Kroacinë në “Saint Denis”, Anglia me mungesa në Danimarkë

Vetëm 26 muaj pas finales së kampionatit të 21 botëror Franca dhe Kroacia do të përballen përsëri ndërmjet tyre, këtë herë në Paris në “Saint – Denis”. Dy vendet bëjnë pjesë në Divizionin Elitar të Kupës së Kombeve dhe janë shortuar në Grupin e Tretë, bashkë me Portugalinë dhe Suedinë. Në pamje të parë kur u hapën goglat u duk sikur ky ishte një grup tepër interesant, megjithatë gjërat kanë ndryshuar shumë, sidomos pas ndërprerjes së aktiviteteve dhe izolimit të gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Diferencat duket sikur janë theksuar akoma më shumë dhe Franca me Portugalinë me shumë gjasa do të rivalizojnë deri në mesin e muajit nëntor për të përcaktuar edhe skuadrën përfaqësuese që do të fitojë të drejtën për të vijuar më tej në fazën gjysmëfinale të edicionit të dytë të UEFA Nations League. Kampionët në fuqi të botës ia dolën mbanë për të fituar takimin hapës në Solna, teksa mposhtën Suedinë brenda në kryeqytet falë një goli të yllit të skuadrës Kylian Mbappe, në fundin e pjesës së parë.

Për hir të së vërtetës me trajnerin Didier Deschamps blutë nuk është se shquhen shumë në aspektin e lojës dhe nëse do të kishin patur përballë një ekip tjetër kundërshtar atëherë me shumë mundësi francezët nuk do të renditeshin në vendin e dytë në kuotën e 3 pikëve. Është e habitshme vërtet përse skuadra transalpine çalon kaq shumë në aspektin e lojës, kur fare mirë nëse është i pakënaqur 51-vjeçari gaskon ka luksin për të përzgjedhur të tjerë futbollistë. Me aq shumë talent sa ka në qarkullim trajneri Deschamps ka privilegjin për të ndërtuar jo një por tre skuadra të ndryshme, e megjithatë Franca është e ngadaltë dhe shumë e parashikueshme në lojë, kështu që diferencën e bëjnë gjithmonë individët në pjesën e sipërme të fushës.

Në fund të takimit Antoine Griezmann “goditi qiellin” dhe shpërdoroi në këtë mënyrë një 11-metërsh të fituar nga sulmuesi Anthony Martial, sidoqoftë këtë takim blutë e luajnë në Stade de France dhe vendasit do të japin maksimumin për të shlyer atë figurë të shëmtuar që bënë në rrethinat e Stockholm-it. Në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s Franca vazhdon të pozicionohet e dyta, me vetëm 32 pikë më pak se Belgjika, ndërsa përfaqësuesja e Kroacisë renditet në vendin e gjashtë, pikërisht përpara Portugalisë.

Një klasifikim i tillë nuk është se përkon shumë me realitetin dhe mbi të gjitha nuk reflekton aspak gjendjen e tanishme, që po përjeton skuadra e drejtuar nga trajneri Zlatko Daliç. Pa dyshen Modriç – Rakitiç Kroacia u cmontua në mënyrë të habitshme nga përfaqësuesja luzitane. Nënkampionët e botës ishin me shumë shumë fat që nuk shkuan në interval me një thes me gola në kurriz dhe u pa qartë që “vatreni” shpëtuan në fraksionin hapës vetëm falë pritjeve sa spektakolare po aq edhe të pabesueshme të portierit të Dinamos së Zagrebit, 25-vjeçarit Dominik Livakovic. Portugalia e bëri Kroacinë të duket vërtet shumë të vogël, për më tepër në stadiumin “Dragao” përfaqësuesja luzitane nuk kishte në dispozicion as yllin dhe kapitenin Cristiano Ronaldo.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Zlatko Daliç numëronte 6 ndeshje pa humbje, por gjithsesi me disfatën 4-1 Kroacia tani mbyll tabelën e renditjes së Grupit të Tretë. Edhe në edicionin hapës të Ligës së Kombeve ekipi kroat u rendit i fundit, në fazën e grupeve, sidoqoftë në atë kohë drejtuesit e UEFA-s vendosën për të ndryshuar rregulloren, duke falur përveç Kroacisë edhe Gjermaninë, Poloninë dhe Islandën, ndërsa tani me këtë lloj paraqitje duket sikur “vatreni” janë të destinuar për t’u rrëzuar në Kategorinë e Dytë përsa i përket skuadrave kombëtare, në UEFA Nations League. Blutë nuk njohin humbje në përballjet ndërmjet tyre dhe kryesojnë bilancin e përgjithshëm me 4 fitore dhe 2 barazime, ku sigurisht spikat triumfi i botërorit rus me rezultatin 4-2.

Interes ngjall gjithashtu edhe dueli tjetër Suedi – Portugali, që do të luhet po në orën 20:45 në Stadiumin Friends Arena të Solnës. Mbetet për t’u parë nëse do të riaftësohet në kohë kapiteni Cristiano Ronaldo, megjithatë veterani Fernando Santos i ka të gjitha mundësitë për t’u larguar nga Gadishulli Skandinav me maksimumin e pikëve. Në dy vitet e fundit skuadra e drejtuar nga 65-vjeçari nga Lisbona ka pësuar thjesht një humbje të vetme dhe disfata e pësuar tetorin e kaluar në Kiev nga Ukraina mbetet edhe e vetmja në 17 sfidat e fundit për kombëtaren luzitane.

Falë lojës së shkëlqyer dhe natyrisht edhe titullit në edicionin hapës të Ligës së Kombeve Portugalia është ngjitur deri në vendin e 7 në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, ndërsa verdheblutë krenoheshin me 8 ndeshje pa humbje, përpara se të humbnin me Francën brenda në shtëpi, gjithsesi ekipi i drejtuar nga trajneri Janne Andersson për momentin mban vendin e 17 në klasifikimin botëror. Portugalia ka bilanc negativ me Suedinë dhe përfaqësuesja luzitane ka fituar 5 dhe humbur 7 nga 18 sfidat ndërmjet tyre, madje edhe në përballjen e fundit mes tyre në marsin e vitit 2017 verdheblutë ia dolën për ta mposhtur Portugalinë brenda në Ishullin e Madeiras me rezultatin 3-2, në një takim miqësor.

Në orën 20:45 në stadiumin “Parken” të Kopenhagenit do të luhet gjithashtu edhe takimi Danimarkë – Angli, i vlefshëm për Grupin e Dytë të Ligës së Kombeve. Të dy ekipet nuk luajtën mirë në ndeshjet e para, por nëse danezët u mundën nga Belgjika në shtëpi, futbollistët e përfaqësueses së “tre luanëve” fituan me shumë shumë vështirësi dhe ndoshta në mënyrë krejtësisht të pamerituar në Rejkjavik me Islandën, një ndeshje që u zgjidh vetëm në kohën shtesë falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Raheem Sterling.

Trajneri Gareth Southgate ka përjashtuar nga kampi stërvitor dyshen Phil Foden – Mason Greenwood për mungesë të theksuar disipline, në një kohë kur vazhdon të jetë jashtë kombëtares angleze gjithashtu edhe kapiteni i “red devils” Harry Maguire, ndërsa mbrojtësi Kyle Walker u ndëshkua me karton të kuq në duelin me Islandën, pa harruar gjithashtu edhe faktin që Marcus Rashford dhe Harry Winks u larguan më herët nga grumbullimi, për arsye dëmtimi. Danimarka ka fituar po aq ndeshje sa edhe Anglia në katër sfidat e fundit ndërmjet tyre, që të katërta sfida miqësore, megjithatë bardhekuqtë krenohen me vetëm 3 fitore gjithsej në 19 përballjet ndërmjet tyre.

Po për këtë grup Belgjika do të presë në Bruksel përfaqësuesen e Islandës. Ishullorët duken krejtësisht të pashpresë duke patur parasysh që skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez kryeson renditjen botërore dhe paraqitet në kryeqytet pas plot 11 fitoreve rresht, por mbi të gjitha “djajtë e kuq” i kanë fituar që të 11 përballjet e mëparshme ndërmjet këtyre dy skuadrave përfaqësuese.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...