Connect with us

Hi, what are you looking for?

Formula 1

Frika nga koronavirusi, shtyhet Çmimi i Madh i Kinës

Shtyhet Çmimi i Madh i Kinës në Formula 1 për shkak të frikës së madhe për përhapjen e koronavirusit. Përhapja me shpejtësi e virusit vdekjeprurës ka prekur shumë fusha të sportit dhe përjashtim natyrisht nuk bën as Kampionati Botëror i Formula 1, që prej shumë sezonesh njërën prej etapave vjetore e zhvillon pikërisht në Kinë. Drejtuesit më të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit pranuan një kërkesë të bërë nga komiteti organizator i Çmimit të Madh të Kinës, për të shtyrë garën e Shangait, që ishte programuar për t’u zhvilluar më datë 19 prill, në qytetin e dytë më të madh në planet. Në këtë komunikatë shkruhej gjithashtu se palët e interesuara do të marrin kohën e nevojshme, për të diskutuar në lidhje me përcaktimin e datave të reja të këtij eventi.

Një vendim i tillë natyrisht u mor për hir të sigurisë dhe shëndetit të pilotëve, stafit të skuadrave të ndryshme dhe në mënyrë të kuptueshme edhe për vetë fansat e shumtë që ndjekin nga pranë cirkuitit Çmimin e Madh të Kinës. Në fakt kjo etapë e veçantë në këtë pjesë të Azisë përbën një pjesë të rëndësishme të kalendarit të Formulës 1, madje sivjet në edicionin e 71-të të kampionatit botëror të këtij sporti në Lindjen e Largët është shtuar gjithashtu edhe Çmimi i Madh i Vietnamit. Gara do të zhvillohet më datë 5 prill në rrugët e kryeqytetit të vendit Hanoi dhe Vietnami do të presë për herë të parë në histori një garë të Formulës 1.

Çmimi i Madh i Vietnamit është i treti në radhë, pas garave që do të mbahen në Australi dhe Bahrein, ndërsa Çmimi i Madh i Shangait ishte programuar fillimisht për t’u zhvilluar pikërisht dy javë pas garës së Hanoit. Në komunikatë drejtuesit e FIA-s shprehën dëshirën e gjithë komunitetit të këtij sporti për të garuar sa më shpejt që të jetë e mundur në Kinë, duke i uruar madje gjithë të mirat gjithsecilit në vend, gjatë këtyre kohëve të vështira.

Më herët Drejtori Administrativ i Formulës 1 Ross Brawn pati deklaruar se po bëhen të gjitha përpjekjet për ta organizuar garën në Kinë në një datë tjetër, nësë nuk do të zhvillohej sipas datës së përcaktuar që më parë në kalendar. Pas shtyrjes 65-vjeçari nga Lancashire premtoi se kalendari do të lihet i hapur dhe do të bëhën të gjitha përpjekjet që kjo garë të zhvillohet në pjesën përmbyllëse të sezonit, sepse sipas tij Kina është një treg që po zgjerohet gjithmonë e më shumë dhe ka një publik tepër entuziast.

Gara e fundit që është shtyrë në Formula 1 është gara e Çmimit të Madh të Bahreinit, në Sakhir që në vitin 2011 fillimisht u shty, për shkak të influencës që pati “pranvera arabe”, ndërsa më pas skuadrat pjesëmarrëse kundërshtuan dhe kjo garë nuk u zhvillua fare e kampionati u mbyll me vetëm 19 gara. Aktualisht ka më shumë se 40.000 raste të prekur nga koronavirusi, gjë që ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të vendosë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, globale shëndetësore dhe për momentin kanë ndërruar jetë nga ky virus 1.016 vetë.

Në fillim të muajit shkurt autoritetet më të larta të Shangait rekomanduan ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve sportive në këtë qytet dhe Shoqata e Përgjithshme Sportive e qytetit më të madh kinez kërkoi menjëherë pezullimin e aktiviteteve sportive deri në zhdukjen e plotë të këtij virusi vdekjeprurës. Përhapja e koronavirusit shkaktoi edhe anulimin e një sërë ngjarjesh të ndryshme sportive në këtë vend, ku përfshihet gjithashtu edhe Kampionati botëror i Atletikës në Salla të Mbyllura, kompeticion që do të zhvillohej nga data 13-15 mars në Qytetin e Nanjing-ut, ndërsa një javë më pas në program ishte edhe një ndalesë e Kampionatit Botëror të Makinave Elektrike, por në mënyrë të kuptueshme edhe gara që do të mbahej në Sanya për Formulën E u shty.

Shangai është qyteti më i madh për nga popullsia në këtë vend dhe ka një pistë të ndërtuar që në vitin 2004, të dizenjuar nga arkitekti i famshëm gjerman Hermann Tilke. Paniku dhe frika për përhapjen e koronavirusit ka pushtuar gjithashtu edhe organizatorët e Lojërave Olimpike, për impaktin që mund të ketë një virus i tillë, pasi sic dihet Olimpiada e Tokios do të zhvillohet verën e ardhshme, nga data 24 korrik deri më 9 gusht.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...