Futboll

FSHF ndihmon Ukrainën me medikamente mjekësore, Duka: Lutemi për shëndet e paqe, urojmë që lufta të mbarojë sa më shpejt!

Lufta e përgjakshme në të cilën ndodhet Ukraina prej muajsh tashmë dhe që ka tronditur të gjithë planetin, ka sjellë reagime të shumta dhe një solidarizim me një vend mik i cili është nën agresion. Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar të japë kontributin e saj në këtë situatë duke ndihmuar me medikamente mjekësore Federatën homologe e popullin ukrainas.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit mori një vendim tejet human rreth tre muaj më parë, lidhur me situatën e vështirë që po kalon Ukraina, duke alokuar një fond të veçantë për këtë shtet për t’i ndihmuar në blerjen e ilaçeve, ushqimeve e materialeve të ndryshme.

Kjo e mërkurë ka shënuar edhe finalizimin me sukses të këtij vendimi me qeverinë e futbollit shqiptar që ka mbajtur një tjetër premtim, teksa tashmë këto ilaçe do të nisen drejt Ukrainës.

Vetë Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, ishte i pranishëm këtë të mërkurë në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ku pa nga afër realizimin e këtij vendimi dhe falënderoi përzemërsisht FSHF-në dhe Presidentin Duka për këtë gjest kaq human. Pas një vizite në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ dhe një bisede të shkurtër me Presidentin Duka, ata dhanë nga një prononcim të shkurër rreth kësaj ndihme simbolike nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Kreu i institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka, në fjalën e tij tha se kjo është një ndihmë e vogël dhe shpreson që gjithçka t’i rikthehet normalitetit së shpejti. Ai theksoi se mesazhi kryesor është përçimi i paqes jo vetëm në Ukrainë, por kudo në botë dhe gjëja që ka më shumë rëndësi është shëndeti. Presidenti falënderoi edhe Ambasadorin Volodymyr Shukrov që i krijoi mundësinë dhe infrasrukturën për të dorëzuar kamionin me ilaçe që do të niset tashmë drejt Ukrainës.

‘Sot nuk mund të konsiderohet ditë e bukur, kur je për një çështje që nuk është e bukur. Por megjithatë unë dua ta falënderoj Ambasadorin që na vizitoi sot në Federatë për të pranuar një ndihmë simbolike nga FSHF për partnerët tanë në Ukrainë. Federata ka përgatitur në mënyrë simbolike disa ilaçe për kolegët tanë dhe për popullin atje. Ne nuk jemi një organizatë politike, ne jemi një organizatë sportive, por si çdo organizatë, gjëja e parë që ne lusim është shëndeti dhe paqja. Këtë mesazh duam të japim edhe sot. Ne duhet të ndërtojmë jetën tonë në paqe në të gjithë botën. Dhe këtë lusim edhe për në Ukrainë dhe në çdo vend të botës. Urojmë që lufta të mbarojë nesër dhe asnjë në Ukrainë mos të ketë nevojë për ilaçet tona, por gjithsesi uroj që t’i ndihmojmë sa më pak me këto që kemi përgatitur, qoftë edhe dy njerëz që luftojnë, apo pesë apo më shumë. Ndihemi vetë mirë për kontributin që japim, për mesazhin që japim më shumë sesa për ilaçet që ne nisim sot nëpërmjet Ambasadorit , të cilin dua ta falënderoj që na krijoi mundësinë dhe infrastrukturën për t’i dorëzuar kamionin me ilaçe për të shkuar në drejtim të Ukrainës. Edhe njëherë uroj që mos të takohem më kurrë, me Ambasadorin dhe me askënd tjetër për çështje lufte, por të takohemi se si ta ndërtojmë jetën tonë më të bukur, se si të kemi më shumë argëtim e më shumë aktivitete, kënaqësi e lumturi. STOP luftës që nesër’ – tha Presidenti Armand Duka në fjalën e tij.

Ndërkaq, Ambasadori i Ukrainas në Shqipëri dha gjithashtu një mesazh tejet emocionues, ndërsa falënderoi Presidentin Duka dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për mbështetjen në këto momente të vështira për shtetin e tij. Ai tha se sporti shërben për të bashkuar njerëzit dhe uroi që Shqipëria të ketë gjithnjë një qiell të kaltër e kurrë mos të preket nga lufta.

‘Prezenca jonë sot këtu ka dy aspekte. Një prej tyre është që ne kemi ardhur në Federatën Shqiptare të Futbollit që po na mbështet me ilaçe dhe aspekti i dytë është ai simbolik. Ne i jemi shumë mirënjohës z.President të FSHF-së, por edhe të gjithë stafit të Federatës për mbështetjen tuaj në këto momente. Ajo që unë dua të saktësoj dhe veçoj sot është se sporti është diçka që bashkon popullin, bashkon njerëzit dhe unë dua t’i uroj me gjithë zemër sot popullit shqiptar, Federatës dhe Shqipërisë që këtu të keni gjithmonë qiell të hapur të kaltër dhe asnjëherë mos t’ju prekë lufta. Shpresoj dhe dëshiroj shumë që skuadrat tona të bashkohen në një fushë të bukur e të luftojnë për fitore. Ju falënderoj edhe njëherë President’ – tha Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov

Federata Shqiptare e Futbollit i ka qëndruar pranë homologëve ukrainas që nga momenti i parë që këta të fundit janë përballur e po përballen ende me agresionin ushtarak rus, duke pasur vazhdimisht komunikime për mënyrën se si mund t’i ndihmojnë në këtë moment të vështirë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency