Connect with us

Hi, what are you looking for?

Boks

Fury vs Whyte, gjerdani i artë në WBC “fshin” miqësinë mes tyre

Kampioni në fuqi i Federatës WBC Tyson Fury duket gati për mbrojtjen e dytë të titullit të fituar 26 muaj më parë në Nevada ndaj boksierit të mirënjohur nga Shtetet e Bashkuara Deontay Wilder. Që të gjithë prisnin duelin e famshëm me armikun e tij të përbetuar Anthony Joshua, sidoqoftë sfida e radhës për të do të jetë ndaj bashkëkombësit të tij, Dillian Whyte.

Viti 2022 ishte projektuar si një sezon I shkëlqyer për boksin, sa i përket peshave të rënda, megjithatë është e kuptueshme se të gjithë të pasionuarit do të duhet të presin akoma edhe për shumë kohë për të parë duelin e shumëpritur ndërmjet “Gypsy King”-ut dhe AJ. Për rrjedhojë kjo sfidë ia lë vendin një tjetër derbi britanik, megjithëse për hir të së vërtetës Dillian Whyte ka lindur në Xhamajkë dhe prindërit e tij u zhvendosën në Mbretërinë e Bashkuar kur ai ishte vetëm 12 vjeç.

33-vjeçari nga Manchesteri në krahun tjetër vazhdon të mbajë brezin në versionin WBC si dhe titullin për revistën e famshme amerikane të boksit “The Ring”, pas ndeshjeve të fituara radhazi ndaj “Bronze Bomber”-it. Boksieri me origjinë irlandeze për herë të fundit pra është ndeshur përtej Atlantikut, gjashtë muaj e gjysmë më herët në Las Vegas, më saktë në mbrëmjen e 9 tetorit, gjithsesi në të dy rastet si në “MGM Grand Garden Arena” apo dhe “T-Mobile Arena” në Paradise Fury ka qenë më lart se sa rivali I tij.

Fury dhe Wilder nxorrën në dritë dy ndeshje vërtet të mëdha, madje dueli I tetorit të kaluar është përfshirë në antologjinë e këtij sporti. Boksieri I famshëm anglez tani bëhet gati për të vijuar karrierën e tij në një drejtim të ndryshëm, duke mbyllur përfundimisht kapitullin Deontay Wilder, ndaj të cilit u hakmorr në mënyrën më të mirë të mundshme, duke hedhur shpejt pas krahëve barazimin e 1 dhjetorit të vitit 2018, kështuqë në mendjen e tij sigurisht ai do të ruajë vetëm lavdinë që I dhanë dy sfidat e fundit, të mbyllura respektivisht me “knock out” teknik në raundin e shtatë dhe “knock down” në raundin e njëmbëdhjetë, me pamjet e rrëzimit të tmerrshëm të 36-vjeçarit nga Alabama që bënë xhiron e botës. Barazimi me “split decision” në Kaliforni, tre vjet e gjysmë më parë, në “Staples Center” në Los Angeles përfaqëson edhe të vetmin rast kur Tyson Fury nuk ka fituar në karrierën e tij, në boksin profesionist.

Aktualisht “Gypsy King” krenohet pra me bilancin 1 barazim dhe 31 fitore, 22 prej të cilave me “knock out” në 32 takime gjithsej. Këtë herë Fury do të ketë përballë një kundërshtar si Dillian Whyte, me të cilin dikur kanë qenë miq. Deri në vitin 2014 për shembull boksieri me origjinë xhamajkane ka qenë në rolin e “sparring partner”, ndërsa më pas me ngjitjen e shkallëve pak e nga pak nga Dillian Whyte marrëdhëniet mes tyre pësuan një krisje dhe nga viti 2018 kjëta dy boksierë u shndërruan në kundërshtarë, duke kaluar në llogore të ndryshme.

Natyrisht Tyson Fyry konsiderohet si favorit, teksa kuotohet me 1.25, ndërsa Dillian Whyte mban koeficientin 5,3 për të bërë surprizën e madhe, ndërkaq barazimi në këtë duel kuotohet 48 herë më shumë se sa shumë e vendosur e parave. Klima ndërmjet dy boksierëve britanikë cuditërisht u zbut ndjeshëm në momentin e peshimit. Të dy u panë të qeshur e tepër të qetë, madje Fury dhe Whyte u panë edhe të këcenin për pak caste dhe të ishin në sinkron nën ritmet e notave muzikore që dëgjoheshin në ambjentin ku u mbajt ceremonia e zakonshme rutinë.

Boksieri anglez peshonte afërsisht 120 kilogramë, më saktë Tyson Fury ishte 119,7 kg, pra pothuajse 5 kilogramë më pak, krahasuar me peshën që kishte në sfidën e fundit, kur mbylli përfundimisht triologjinë me amerikanin Deontay Wilder. Në anën tjetër Dillian Whyte peshonte 114,7 kilogramë, pra 5 kile më pak se sa kampioni në fuqi, por 2,7 kilogramë më shumë krahasuar më sfidën e tij të fundit, kur mposhti veteranin rus Alexander Povetkin.

Me Sashën fillimisht Whyte pësoi humbjen e dytë në karrierë. Duelin e parë me boksierin nga Kursku në 22 gushtin e vitit 2020 Dillian e humbi në lindje të Anglisë, në Essex me “knock out” teknik, të pësuar që në raundin e pestë, ndërsa në ndeshjen e dytë 34-vjeçari nga Port Antonio, mori hak në po të njëjtën mënyrë, me “knock out” teknik në raundin e katërt, duke u rikthyer përkohësisht te brezi i artë i Federatës WBC, version të cilin luftëtari me origjinë xhamajkane e mbajti për pak muaj në kalimin nga viti 2019 deri në 2020.

Sfida e revanshit në Gjibraltar më 27 marsin e vitit 2021 shënon edhe takimin e fundit për Dillian Whyte. Pra horri i keq nga Karaibet, siç ka edhe në fakt nofkën Whyte “The Villain”, ka më shumë se një vit që nuk bokson. Në karrierën e tij përveç humbjes me 41-vjeçarin rus Whyte numëron gjithashtu edhe disfatën me britanikun tjetër Anthony Joshua, shtatë vjet më parë.

Boksieri me origjinë nigeriane e fitoi takimin e zhvilluar në O2Arena në Londër, me “knock out” teknik në raundin e shtatë, sidoqoftë Dillian Whyte ka një bilanc vërtet për t’u vlerësuar me 28 fitore gjithsej, 19 prej të cilave të mbyllura përpara kohe dhe vetëm dy humbje, në 30 ndeshje në total.

Fjalët e ashpra që kanë këmbyer këta dy boksierë në distancë duket se tani janë zëvendësuar nga respekti reciprok. Fury dhe Whyte këmbyen kapelet dhe u munduan të qetësojnë skuadrat respektive. Ditën e mërkurë gjërat precipituan por ishin pikërisht dy miqtë e dikurshëm që ndërhynë për të qetësuar situatën dhe ndarë kampet e tyre.

Ditën e premte dy vëllezërit e dy boksierëve u panë të shtrëngonin duart, kështuqë gjërat janë përmirësuar ndjeshëm në këtë aspekt dhe gjithçka do t’i lihet ringut. Për momentin brezat në versionet WBA, IBF dhe WBO në peshën e rëndë vijon t’i mbajë ukrainasi Oleksandr Usyk, që pasi unifikoi gjithë titujt në peshën “cruiser” mposhti gjithashtu edhe britanikët Derek Chisora dhe Anthony Joshua për të prekur një rekord perfekt me 19 fitore në 19 ndeshje.

Revanshi Usyk – Joshua mund të mbahet në fundin e muajit qershor, gjithsesi dueli Tyson Fury – Dillian Whyte do të zhvillohet pranë mesnatës së të shtunës në Londër, në stadiumin mitik Wembley, ku derbi britanik pritet të ndiqet nga plot 94.000 spektatorë, një rekord në ishull sa i përket këtij sporti, që pas Luftës së Dytë Botërore.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...