Nga Gjergji Stefa
Mbajmë vendin e parë në rajon për stadiume elitare, por të fundit për fushat e futbollit për masën e gjerë
Kur në 1992 sipas teorisë së kohës – ajo e zeros – vendosëm që në vend të fushave të futbollit të ndërtonim kushedi çfarë përveçse sport, harruam se pavarësisht regjimit më monstruoz njerëzor në gjithë lindjen, sporti do ishte një nevojë e së ardhmes, ashtu sikundër ishte i vetmi argëtim i së shkuarës. Në Tiranë në vitin 1989 ishin më shumë se 20 fusha futbolli me përmasa olimpike, sot ka vetëm disa. Statistikisht kemi qenë vendi me sipërfaqen më të madhe të fushave për banorë në Europë. Sot jemi në vend të fundit. Dhe kjo nuk ka dëmtuar vetëm njeriun si qenie që duhet patjetër të merret me sport. Ka dëmtuar dhe biznesin e futbollit.

28 Janar 1962, ditë e diel… Në Hackney Marshes, në Londër, ka 111 fusha futbolli dhe luajnë në të njëjtën kohë 2442 lojtarë…
Afro 40 vite më parë në Angli. Ende nuk kish nisur ndërtimi i stadiumeve moderne, por shikoni çfarë hapësire i rezervohej sportit. Në kohë reale luanin 2300 futbollistë të rinj…
Sot Shqipëria – dhe ky është një lajm shumë i mirë – ka numrin më të lartë të stadiumeve moderne në rajon. Nëse marrim për të mirëqenë dhe 3 impiantet që do ndërtohen në Durrës, Korçë e Vlorë, bashkangjitur pse jo edhe “Selman Stërmasin”, automatikisht do kishim zënë një vend të parë në Ballkan – përjashto Turqinë e Greqinë – për nivelin elitar të infrastrukturës.
Jo pa shkak UEFA vendosi që finalen e Conference League ta sillte në kryeqytetin tonë. Numri i shikuesve është rritur nën këtë infrastrkturë, teksa njerëzit sigurisht që ndihen më sportdashës se sa në impiantet e vjetra që nuk plotësonin asnjë kriter njerëzor për tu afruar. Logjika e ndërtimit ka qenë një e tillë e kuptueshme. Qendra biznesi me një fushë të blertë brenda. Pra “win – win”, jo keq. Pyetja që vjen ndër mend në këtë moment është e drejtë dhe kërkon një debat publik. Përse vende me sport më të zhvilluar se ne në rajon nuk kanë zgjedhur këtë strategji investimesh dhe administrimesh.
Modeli i Kroacisë
Kroacia është për shembull modeli i qartë i suksesit. Ata kanë shkuar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në 2 edicionet e fundit dhe ende nuk kanë asnjë stadium si këto tonat. Vetëm tanimë qeveria vendosi të investonte në impiante moderne, pasi në 25 vitet e fundit ata kishin përqendruar fondet në fushat e terrenet sportive, që mbinin si kërpudha çdo vit, nga ku dilnin qindra kualitete në sezon dhe ku qartësisht ata më pas pasi luanin në elitë transferoheshin në klube të mëdha deri te Real e Barcelona. Pak a shumë të njëjtin model kanë dhe sllovenët, malezezët e maqedonasit. Klubet përkatëse prej vitesh kanë rezultate më të mira se sa shqiptarët – kujto përballjen e Tiranës me kampionen e Bosnjës – për të mos folur më pas për numrin e lartë të lojtarëve që si produkt vendas që pasi bëjnë diçka për klubet mëmë pasurohen vetë dhe e bëjnë këtë dhe për klubet e tyre me transferat ndërkombëtare.
Jam shumë kurioz ta di nëse për shembull presidenti i Skënderbeut do kishte zgjedhur një kompleks me 6-7 fushat e futbollit në Korçë, nga ku do kishin mundësi të luanin të gjithë fëmijët e të rinjtë e zonës duke siguruar një të ardhme elitare për biznesin e futbollit, apo do pajtohet me një stadium modern që me shumë gjasa nuk do ta ketë as në administrim e nga ku jo vetëm që nuk do vjelë të ardhura, por ndoshta mos qoftë e thënë që duhet dhe të paguajë për të shkelur barin…
E parë në këtë këndvështrim kemi vërtet një super lajm, sidomos për komoditetin e sportdashësve, cilësisë lojës, aftësisë për të pasur një imazh të mirë, por nga ana tjetër biznesi i futbolli për vende të vogla në rajone edhe më të vogla si ky i yni ka vetëm një mënyrë për t’u ushtruar. Prodhimi dhe shitja e lojtarëve është i vetmi mekanizëm që do e bënte funksional dhe ky zinxhir veprimesh nuk vjen dot me stadiumet e mrekullueshme që po bëhen por me fushat qoftë dhe pa shumë cilësi, por të shumta në numër që ishin në kohë e komunizmit.
Modeli ynë e thënë dhe e stërthënë duhet të jetë Kroacia…
