Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Futbolli i bukur apo ai cinik? Debati i përjetshëm i kësaj loje magjike

Loja e bukur kundër rezultatit, estitika kundër sensit praktik. Një luftë e pambarimtë në botën e futbollit: nga përballja Sarri-Allegri në Serinë A, deri tek dueli Pep Guradiola-Mourinho në Premier League. Është më mirë të luash keq dhe të fitosh, apo të mbushësh plot gëzim sytë e atyre që dëshirojnë të dëfrehen me lojën e futbollit? Pyetje esenciale, që kërkojnë një analizë të thellë.

Mbështetësit e futbollit të bukur: Futbolli është i lidhur ngushtësisht me të bukurën. Pjesa më e madhe e tifozëve preferon, ose më saktë thotë se preferon, një skuadër që humbet duke luajtur bukur sesa një ekip që fiton duke luajtur keq. Gjithsesi, bukuria në futboll është subjektive. Duhet të biem dakord për atë që kuptojmë kur themi duke luajtur mirë. Një ndeshje që përfundon 0-0 mund të jetë më e bukur se një tjetër që mbyllet 5-4. Në vetvete, bukuria në futboll është bashkëveprim mes futbollistëve, është e bazuar veçanërisht në lojën sulmuese. Përgatit një lojë të bukur dhe efikase sulmuese dhe nuk ka mbrojtje që të jetë në gjendje të të ndalojë drejt rrugës së lavdisë. Skuadrat që dinë të shprehin bukurinë e futbollit janë glorifikuar, pavarësisht se kanë arritur ose jo te triumfi final. Mjafton të kujtojmë Hungarinë e vitit 1954, Brazilin e 1970-ës dhe 1982-shit, apo Barcelonën e periudhës së fundit.

Mbështetësit e futbollit konkret: Tri pikët, në fund të fundit, janë çmimi jo për futbollin sulmues, por për atë cinik. Marrim si shembull Chelsea-n. Blutë e Londrës e fituan Championsin e tyre të parë në sezonin 2011-2012, pasi luajtën 180 minuta në mbrojtje kundër Barcelonës në gjysmëfinale dhe 120 minuta po në mbrojtje ndaj Bayernit në finale. Kundër Messit, Xavit dhe Iniestës, Chelsea e mbajti topin vetëm në 20% të kohës. Ndërsa në finalen e “Allianz Arenas”, vendasit e goditën portën 26 herë, ekzekutuan 20 goditje këndi kundrejt 7 tentative në portë të bluve dhe të vetmes këndoreje nga e cila lindi goli i skuadrës angleze. Është fakt që futbolli nuk bën fitues atë që godet më shumë herë portën apo arrin të bëjë më shumë pasime gjatë lojës. Futbolli është një garë që nderon atë që shënon të paktën një gol më shumë se kundërshtari dhe jo një konkurs bukurie. Aq më mirë nëse do të kombinoheshin këto dy aspekte, por nuk është ky qëllimi kryesor. Nuk është e bukur për sytë, por sigurisht futbolli i shëmtuar nuk është një pengesë drejt suksesit final.

Konkluzionet: Ka nga ata që parapëlqejnë një futboll të shpejtë, me pak pasime dhe me shumë gjuajtje drejt portës Të tjerë dashurojnë një lojë racionale dhe sistematike, që arrihet nëpërmjet qarkullimit dhe kontrollit të topit. Të shumtë janë edhe ata që u interesojnë vetëm 3 pikët. Të gjitha emocionet pozitive në futboll janë të lidhura me sulmin, kreativitetin dhe sundimin e kundërshtarit. Mbrojtja është në vetvete diçka negative, represive, është të luash për të mos humbur.

Është kurioz fakti që përveç disa përjashtimeve, si Gugi Buffon apo Rio Ferdinand, klubet vazhdojnë të mbivlerësojnë ata që shënojnë gola dhe jo ata që i shmangin. Sulmuesit janë të bukur për t’u ndjekur, por nëse nuk shërbehen si duhet, nuk mund të shënojnë e për rrjedhojë nuk mund të bëjnë asgjë për t’i dhënë fitoren skuadrës së tyre. Ata që dashurojnë lojën sulmuese, injorojnë mbrojtjen efikase. Sulmuesit paguhen dhe vlerësohet shumë më tepër, fitojnë çmime dhe zemra tifozësh, ndërsa mbrojtësit janë të dënuar që të lodhen shumë më tepër dhe të marrim shumë më pak vlerësime. Pjesa më e madhe e njerëzve ka idhuj George Best ose Lionel Messin më shumë se Alessandro Nestën apo Carles Puyol. Bukuria mund të jetë efekt i një ndeshjeje të luajtur mirë, por nuk është kusht i mjaftueshëm dhe aq më tepër i domosdoshëm për të fituar. Futbolli nuk është patinazh artistik, pikët nuk merren duke realizuar një figurë të bukur.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...