Connect with us

Hi, what are you looking for?

Serie A

Gabimet ‘trashanike’ të VAR-it

Video Assistant Referee (VAR) është risia e aplikuar në Serinë A, Bundesligë dhe disa kampionate të tjera, ndërsa do të implementohet edhe në La Liga dhe Ligue 1, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Sistemi funksionon nëpërmjet përpunimit të shpejtë të pamjeve filmike, të cilat i vihen në dispozicion arbitrit kryesor për të marrë vendimin e duhur në momente deçizive të ndeshjes. Pas 17 javësh në Serinë A, VAR-i ia ka dalë të cilësohet i suksesshëm në shumicën e rasteve, por nuk mungojnë as gabimet trashanike të sistemit.

Rasti më i fundit ishte ditën e djeshme, në takimin Sampdoria-Sassuolo, fituar 0-1 nga këta të fundit. Në minutën e 82-të, gjyqtari akordon një 11-metërsh për Sassuolon, i cili ekzekutohet nga Politano dhe pritet nga portieri Viviano, por me vijimin e aksionit, topi rikthehet në zonë, ku ndalet qëllimisht me dorë nga Torreira. Arbitri kryesor injoron protestat e futbollistëve të Sassuolos, madje ndëshkon me të verdhë njërin prej tyre, ndërsa refuzon t’i referohet sërish VAR-it, i pa ndihmuar as nga Tagliavento, që ishte gjyqtari përgjegjës pranë teknologjisë. Pamjet filmike konfirmuan se kishim të bënim me një tjetër penallti dhe me karton të kuq për Torreiran, që zgjatet dhe ndal me dorë një top që po shkonte drejt një futbollisti të Sassuolos dhe mund të përfundonte në rrjetë.

Një tjetër gabim u regjistrua të shtunën në mbrëmje, ku Roma mori 3 pikët ndaj Cagliarit vetëm falë një goli në sekondat e fundit të kohës shtesë, shënuar nga Fazio. Mbrojtësi argjentinas prek dukshëm topin me dorë, për ta shtyrë drejt rrjetës, por gjyqtari kryesor gabon edhe pasi konsultohet me pamjet filmike, duke i ‘dhuruar’ Romës një 3-pikësh mjaft të vlefshëm.

Fundjavën e kaluar ishte radha e Lazios që të binte viktimë e VAR-it, por edhe këtu gabimi është i arbityrit kryesor. Immobile tenton një krosim në zonë, por topi ndalet dukshëm me dorë nga Iago Falque i Torinos. Gjyqtari vijon lojën, duke refuzuar t’i referohet VAR-it për këtë rast, ndërsa pamjet tregojnë se kemi të bëjmë me 11-metërsh për bardhekaltrit. Pas protestave që pasuan aksionin, Immobile përplaset me Burdison dhe këtu gjyqtari zgjedh t’i referohet teknologjisë dhe më pas akordon karton të kuq të pamerituar për sulmuesin e Lazios, duke lënë skuadrën e Inzaghit me 10 futbollistë, që në pjesën e parë.

Bardhekaltrit ndjenë peshën e gabimit të arbitrit në analizimin e pamjeve, edhe në sfidën e para 3 javëve, po në ‘Olimpico’, përballë Fiorentinës. Takimi përfundoi 1-1, me vjollcët që barazuan në minutat shtesë, me një penallti ‘fantazmë’, të akorduar nga arbitri, pasi u konsultua me pamjet filmike.

Gjithsesi, më e rëndësishmja është që në 17 javë, janë të shumta rastet kur aplikimi i VAR-it ka bërë që të vendoset drejtësi, ndaj testi i fillimit për teknologjinë mund të quhet i kaluar. Për më tepër, i vetmi gabim i sistemit është ndoshta vonesa pak më e madhe se duhet, sepse pjesa tjetër është gabim në interpretimin e pamjeve filmike.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...