Featured

Garë e zjarrtë për kreun, si ndryshojnë 6 skuadrat pretendente në Premier League

Sonte fillon sezoni i ri në Premier League, prej vitesh kampionati më i bukur në planet. Crystal Palaca-Arsenal është dueli që starton sezonin 2022/2023 në ishull, përballje që fillon prej orës 21:00 (SuperSport 3).

Gjashtë skuadra do të garojnë për titullin kampion. Të gjithë duan të rrëzojnë Manchester City nga froni. Djemtë e Pep Guardiolës e kanë fituar katër herë titullin kampion në pesë vitet e fundit.

Erling Haaland është goditja e madhe e “Cityzens” në merkato. Bomberi norvegjez do të luajë në majën e sulmit të Man City, ekip me të cilin pritet të shënojë më shumë gola. Julian Alvarez është emri tjetër që pritet t’i japë diçka ekstra ekipit në ofensivë.

Liverpool rivalizoi për titullin kampion deri në javën e fundit në sezonin e kaluar. “The Reds” kanë humbur shërbimet e Sadio Mane, por në “Anfield” ka zbarkuar Darwin Nunez, për të cilin do paguhen 100 milionë euro te Benfica.

Uruguaiani është e vetmja risi te titullarët e Jurgen Klopp, të cilët kanë si objektiv rikthimin e trofeut në shtëpi pas tre vitesh. Ndryshime ka pësuar Manchester United, që nuk fiton Premier League prej vitit 2013.

Në stol është ulur holandezi Erik ten Hag. Tifozët kanë besim se do të shijojnë një futboll të bukur dhe rezultativ, që mungon prej kohësh në “Old Trafford”. Lisandro Martinez në prapavijë dhe Christian Eriksen në “regji” janë dy ndryshimet në formacion krahasuar me sezonin e fundit.

Më pas Chelsea, një nga skuadrat më të forta në ishull. Mbrojtja e ekipit të Thomas Tuchel ka pësuar ndryshime. Afrimet cilësore janë dy: Kalidou Koulibaly dhe Raheem Sterling në sulm. Me “Blutë e Londrës” do e nisë sezonin edhe Armando Broja, i cili është gati të fitojë besimin e teknikut gjerman.

Fitimin e Premier League e tenton edhe Tottenhami. Antonio Conte është një trajner fitues dhe plot ambicie. Yjet nuk janë shitur, ndërkohë që “armatës” së italianit i janë bashkuar edhe emra si Ivan Perisic, Richarlison, Bissouma dhe Lenglet. Ëndrra e madhe është triumfi në kampionat, që mungon prej vitit të largët 1961.

Optimizëm dhe entuziazëm edhe tek Arsenali. Klubi londinez ka shpenzuar rreth 120 milionë paund në merkato, duke afruar emra si Gabriel Jesus, Olesandr Zinchenko, të dy nga Manchester City. Fabio Vieira është përforcimi i rëndësishëm në merkato. Titulli mungon prej vitit 2004, ndërsa objektivi real është rikthimi në Champions League.

TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE

QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?

Kliko për të komentuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency