Zlatan Ibrahimoviç tregoi edhe njëherë se është në formë të shkëlqyer, pasi shënoi dy herë në portën e Napolit dhe i dha fitoren 1-3 Milanit në “San Paolo”, ndërsa trajneri Gennaro Gattuso nuk e fshehu zhgënjimin në fund të ndeshjes.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri i Napolit mori përgjegjësinë për humbjen dhe theksoi se skuadrës po i ndodh shpesh të zhgënjejë në përballjet e mëdha, ndonëse luan mirë në fushë.
“Në fushë e kemi bërë gjithçka ne. Kemi krijuar raste të shumta, por më pas kemi bërë gabime që na kanë kushtuar shtrenjtë. U bë kohë që zhgënjejmë në përballje të mëdha dhe natyrisht që përgjegjësia bie mbi mua si trajner, ndonëse kam kohë që kërkoj më tepër agresivitet. Shpesh nuk mjafton vetëm niveli i lartë teknik për të fituar ndeshjet, pasi duhet të kafshojmë gjuhën dhe të bëjmë maksimumin në fushë. Duhet të ngremë stekën dhe të përballemi si të barabartë me këdo”, u shpreh Gattuso.
Trajneri i Napolit foli me superlativa edhe për heroin e Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ndonëse shprehu zhgënjim për mosndëshkimin e goditjes me bërryl të suedezit ndaj mbrojtësit Koulibaly, kur rezultatin ishte 0-1 në favor të kuqezinjve.
“Ibra do të mbetet miku im përgjithmonë, pasi kemi ndarë gjëra të rëndësishme bashkë. Milani beson shumë te ai dhe shokët e tij të skuadrës po bëjnë gjithçka në maksimum. Milani nuk është skuadra më e mirë, por të gjithë po japin maksimumin dhe po shijojnë rezultatet, ndërsa ne bëjmë rolin e profesorit shpesh. Bërryli ndaj Koulibaly? Në provat filmike duket si një goditje alla Mike Tyson dhe ndoshta duhej ndëshkuar, por nuk dua të merrem me këtë tani”, u shpreh Gattuso.
