Kupa e Italise

Gattuson e “zë” dëbora: Kishte vite që s’binte në Romë

Reshjet e dëborës që kanë zbardhur Romën këtë të hënë, edhe pse një fenomen rrallë në kryeqytetin italian, nuk janë pritur mirë nga trajneri i Milanit, Ivan Gennnaro Gatusso. “Kuqezinjtë” nuk janë larguar nga Roma pas fitores së madhe me verdhekuqtë, sepse në të njëjtin stadium, të mërkurën do të përplasen me Lazion, në sfidën e kthimit në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, teksa përplasja e parë në “San Siro” u mbyll në barazim pa gola. Kuqezinjtë, për shkak të kushteve të vështira klimaterike, kanë bërë ushtrime në palestër, edhe pse “Ringhio” do të kishte dashur që të punonte me topin.

“Jemi pak të mërzitur, sepse kishte vite që në Romë nuk shihej të binte dëborë. Do të doja të ishim stërvitur në fushë, por kemi qenë të detyruar të punonim në palestër. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj Lazios, sepse është një skuadër e ndërtuar mirë, ka shumë cilësi. Do të na duhet të zhvillojmë ndeshjen perfekte për të shkuar në finale.”

Gattuso është i kënaqur me fitoren ndaj Romës, por tashmë Milani i tij duhet ta ngrejë më lart stekën.

“Do të përballemi me skuadra që kanë individualitete të jashtëzakonshme, por ne duhet të shfaqim kompaktësi dhe të vijojmë të bëjmë mirë. Gjëja më e rëndësishme është të rifitojmë energjitë dhe të kuptojmë konceptet për të përballuar kundërshtarët e nivelit më të lartë.”

To Top