Europa League

Gega para Mariborit: Nderojmë fanellën, ja pse lashë jashtë Çanin

Partizani do të bëjë debutimin sezonal nesër, teksa do të presë në orën 17:30 në “Selman Stërmasi”, skuadrën sllovene të Mariborit, në sfidën e parë të vlefshme për eliminatoret e Europa Leagues.

Kjo do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare në stolin e të kuqve e trajnerit Skënder Gega, i cili erdhi te Partizani vetëm në muajin qershor, me objektivin për të ndërtuar një skuadër cilësore dhe të denjë të luftojë për titull, në sezonin e ardhshëm.

Gega doli sot në konferencën për shtyp, i shoqëruar edhe nga kapiteni i skuadrës, Alban Hoxha, ndërsa foli për sfidën e nesërme, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Tekniku i të kuqve u ndal edhe te lënia jashtë listës e sulmuesit Edgar Çani, duke shpjeguar arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.

Debutoni në drejtimin e Partizanit me një kundërshtar të fortë, a është gati skuadra?
Patjetër! Ky është shorti, edhe pse do të donim një rival tjetër. Maribori është një ekip shumë i fortë dhe ka një ecuri te jashtëzakonshme vitet e fundit. Me grupin që kemi jam i kënaqur, besoj se do të bëjmë më të mirën për paraqitje dinjitoze.

Partizan sulmues, apo i kujdesshëm nesër?
Në një ndeshje duhet të kujdesesh për të gjitha pjesët. Jemi të gatshëm, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.

Si është situata me Çanin?
Çani ka qenë pjesë e grupit. Kam shumë pak kohë, dua të ndërtoj një grup solid. Vendimi ka qenë teknik. Unë jam personi që ka vendosur që ai të mos jetë i përfshirë në 20 lojtarët për këtë tur, arsyet janë teknike. Parametrat e Çanit nuk janë aty ku duhet. Sot për sot ai nuk plotëson parametrat për te kontribuar. Gjithsesi, ai ka kontratë, është pjese e ekipit.

Keni deklaruar se duhen përforcime?
Ekipi ka nevojë për përforcime, për lojtarë që bëjnë diferencën. Klubi ka politikën e vet dhe buxhetin, nuk janë në dorën time. Jam i kënaqur me lojtarët që janë afruar.

Çfarë dini për Mariborin?
Maribori është ekip shumë i fortë, ne e respektojmë, por kemi punuar fort për ta përballuar.Ndeshja me Mariborin duhet të na beje optimistë. Për aq sa kohë sa kemi qenë me ekipin do të bëjmë të pamundurën.

To Top