Connect with us

Hi, what are you looking for?

Serie A

Giampaolo tregon “recetën” e suksesit në derbi

Seria A do të ndizet menjëherë në javën e katërt, pasi nesër në mbrëmje, në “San Siro” do të luhet derbi i Milanos, njëri nga më të rëndësishmit dhe më të ndjekurit në botë.

Trajneri i kuqezinjve, Marco Giampaolo doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp dhe kërkoi që futbollistët e tij të luajnë me përgjegjësi e të argëtohen, për t’ia dalë të marrin 3 pikët në derbi.

Si e prisni atmosferën në “San Siro”?
Do të shohim nesër, por njëri prej bashkëpunëtorëve të mi erdhi për të parë derbin e sezonit të kaluar dhe kishte mbetur i magjepsur për shtysën që jepte tifozëria.

A mendoni se derbi është ndeshja më e rëndësishme?
Është shumë e rëndësishme, por jo më e rëndësishmja. Derbi shërben për të përmirësuar atmosferën edhe jashtë ekipit, për krenari, për mënyrën sesi përjetohet, etj., por unë jam ambicioz dhe dëshiroj të luaj ndeshje shumë më të rëndësishme te Milani.

Sa e rëndësishme ishte fitorja minimale në Verona?
Ne duam të luajmë mirë, të argëtohemi dhe të fitojmë. Natyrisht që jemi në hapat e parë të rrugës tonë dhe kur ia dalim të marrim 3 pikët, punojmë me qetësi. Kjo na ndihmon të rritemi më shpejt, ndaj mendoj se ishte shumë e rëndësishme që të dilnim me 3 pikë nga “Bentegodi”.

Duket sikur ka pak nervozizëm në skuadër?
Unë në fakt preferoj të punoj me futbollistë të përqendruar, me dëshirë dhe entuziazëm. Nuk ka nevojë të shpërndajmë energjitë për gjëra pa rëndësi. Duhet të argëtohemi në fushë, por me përgjegjësi për veprimet tona.

Mendoni se Interi vjen favorit në këtë takim?
Nuk e di nëse është favorit, po mund të them se unë besoj që Milani ia ka të gjitha mundësitë për ta përballuar këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet të bëjmë kujdes me detajet dhe të luajmë të përqendruar, pasi nuk ka favoritë në një derbi. E kam parë Interin në Champions dhe vura re që kundërshtari i krijoi shumë telashe në fushë, duke mos e lënë të shprehet. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë, nëse interpretojmë si duhet idetë tona.

Pra Milani po përgatitet të bëjë të njëjtën gjë si Slavia e Pragës?
Ne duam të bëjmë edhe më mirë se Slavia e Pragës dhe jam i bindur që i kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë. Ne mund të mbrohemi edhe duke mbajtur topin, pa qenë nevoja që të tërhiqemi në prapavijë. Nuk më pëlqejnë skuadrat që rrinë mbrapa dhe kërkojnë rrezikshmërinë me topa të gjatë.

Kush e zëvendëson Calabrian?
Në të djathtë do të luajë Conti. Është stërvitur mirë dhe është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me disa muaj më parë. E di edhe ai vetë që duhet të përmirësohet në aspektin mbrojtës, por ka disponibilitet maksimal për të bërë më të mirën. Nesër do të ketë shansin të tregojë vlerat e tij. Nuk po shkon në luftë, por thjesht do t’i duhet të bëjë një ndeshje të mirë futbolli.

Pse po luajnë kaq pak futbollistët e afruar këtë verë?
Unë stërvit 23 lojtarë dhe jam shumë i kënaqur për të gjithë që kam në dispozicion, Nuk dua t’i ndaj në dy grupe, ata që kanë qenë dhe ata që kanë ardhur. Luajnë ata që gëzojnë formë më të mirë, ndaj nuk flas me emra konkretë.

Sa keqardhje ka kur mendon se Sensi mund të ishte nën urdhrat tuaj?
Nuk ka keqardhje. Unë nuk jam njeriu që bëj merkaton, por ai që punon me futbollistët. Mund të them se jam shumë i kënaqur me organikën që kam në dispozicion dhe i dua futbollistët e mi.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...