Connect with us

Hi, what are you looking for?

Basketboll

Giannis Antetokounmpo mbetet te Bucks, firmos kontratën “faraonike”

Giannis Antetokounmpo firmos marrëveshjen më të shtrenjtë në historinë e NBA. Ylli I Milwaukee Bucks ra dakord për të shtyrë qëndrimin e tij në Wisconsin, duke firmosur një kontratë “faraonike” me plot 228,2 milionë dollarë. Lojtari me origjinë nigeriane, që luan për përfaqësuesen e Greqisë, konsiderohet si një ndër basketbollistët më të mirë në qarkullim, madje 26-vjeçari i lindur në Athinë është shpallur dy herë rresht si lojtari më i vlefshëm i sezonit në kampionatin më spektakolar të basketbollit në rruzull.

Palët ishin në bisedime prej kohësh, megjithatë më në fund drejtuesit e franchise-t nga Wisconsin ranë dakord për t’i dhënë basketbollistit helen një kontratë 5-vjeçare, me shumën marramendëse prej 228,2 milionë dollarësh, pa dyshim kontrata më e shtrenjtë në gjithë historinë e NBA. Detajet e marrëveshjes u konfirmuan nga vetë menaxheri Alex Saratsis, që kujdeset gjithashtu edhe për dy vëllezërit e tij, Kostas e Thanasis Antetokounmpo. Saratsis zbuloi gjith♪5ka për rrjetin ESPN, duke zyrtarizuar edhe shifrat e marrëveshjes. Ndonëse bëhet fjalë për thjesht 200 000 dollarë, sipas kësaj kontrate thyhet rekordi i vjetër në National Basketball Association, që ishte vendosur nga James Harden në vitin 2017, pas rinovimit të tij me ekipin teksdan Houston Rockets.

Entuziast për arritjen e marrëveshjes Giannis deklaroi se në Milwaukee ndihet si në shtëpinë e tij dhe 26-vjeçari e konsideron veten të bekuar që do të vazhdojë të jetë pjesë e Bucks edhe për pesë vitet e ardhshme.

Giannis Antetokounmpo ishte përzgjedhja e 15-të në raundin e parë të draftit të vitit 2013 dhe që nga ajo kohë “ylli” me origjinë nigeriane luan në radhët e franchise-t nga Wisconsin. Kontrata e tij përfundonte në mbylljen e sezonit 2020-21, kështu që në fundin e muajit qershor Giannis do të shndërrohej lojtar i lirë, sidoqoftë tani gjithçka është e qartë dhe 26-vjeçari e lidhi përfundimisht të ardhmen e tij me Milwaukee Bucks deri në verën e vitit 2025.

Giannis Antetokounmpo e nisi karrierën e tij në kategoritë inferiore të basketbollit helen me ekipin kryeqytetas Filathlitikos, me qendër në Zografou, ndërsa në NBA ai u shndërrua në lojtarin e 16 më të ri në historinë e kampionatit më spektakolar në planet, teksa debutoi më datën 30 tetor të 2013 në moshën 18 vjec e 318 ditë, vetëm 15 ditë më pas në kohë krahasuar me Mbretin James. Giannis është shpallur dy herë radhazi në vitet 2019 e 2020 si MVP i sezonit, ndërsa në edicionin e fundit ai u votua në masë të gjerë edhe si mbrojtësi më i mirë i sezonit, e një arritje të tillë të dyfishtë brenda një sezoni të vetëm e kishin regjistruar më parë në historinë e NBA vetëm Michael Jordan dhe Hakeem Olajuwon.

Milwaukee e vuajti jashtëzakonisht shumë dëmtimin e tij, teksa u eliminua në mënyrë surprizë në Disney Bubble që në fazën gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes me rezultatin e thellë 4-1, sidoqoftë gjatë sezonit 2019-20 26-vjeçari grek regjistroi plot 56 “double – doubles” dhe ishte pa dyshim lojtari më rezultativ, me një efikasitet 34.6 për çdo takim. Falë lojës së tij të shkëlqyer dhe formës së jashtëzakonshme Bucks ishin ekipi me mesataren më të lartë të shënimit, me plot 118,7 pikë për ndeshje dhe 51,7 rekuperime për çdo takim.

Gjatë edicionit të shkuar Giannis tregoi një qëndrueshmëri vërtet të rrallë e duke llogaritur edhe 10 ditët e fundit të muajit tetor u vlerësua si basketbollisti më i mirë i sezonit, me radhë në muajt tetor, nëntor, dhjetor e janar, ndërkohë bashkë me emra si LeBron James, Anthony Davis, Luka Doncic e James Harden “ylli” helen ishte edhe pjesë e pesëshes së përzgjedhur si më e mira e sezonit të fundit.

Kontrata e tij e re ka një klauzolë që i mundëson largimin nga Bucks pas vetëm 4 sezoneve. Kur shtyu qëndrimin e tij te Rockets në vitin 2017 me kontratën 4-vjeçare prej 169 milionë dollarësh James Hardenit i kishin mbetur edhe dy vjet me franchise-n teksan me 59 milionë dollarë gjithsej, ndërkaq paga vjetore e Giannisit prej 45.6 milionë dollarësh kalon edhe rrogën e yllit të ri të Washington Wizards, Russell Westbrook, i cili u transferua nga Houstoni në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara me një kontratë 5-vjecare prej 206,8 milionë dollarësh, me një pagë prej 41,4 milionë në vit.

Edicionin e kaluar Milwaukee Bucks ishte me diferencë edhe ekipi më i mirë i sezonit të rregullt, pasi franchise nga Wisconsin fitoi 56 nga 73 sfidat në regular season, ndërkohë pas shtyrjes së sezonit të kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit gjithçka sa i përket edicionit të ri do të startojë më datë 22 dhjetor, në një version të shkurtuar përsëri, pasi 30 skuadrat pjesëmarrëse do të zhvillojnë vetëm 72 nga 82 ndeshjet që përmban zakonisht sezoni i rregullt në NBA.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...