Pas disfatës me Sileksin në transfertë, Shkupi ndalet edhe në shtëpi ndaj Akademija Pandev. Sfida ishte spektakolare teksa u shënuan gjashtë gola me 90-minutat të cilat u mbyllën në barazimin 3-3. Një rezultat që nuk i shkon për shtat ambicieve të Shkupit, edhe pse vendasit u dukën sikur do ta fitonin pa shumë problem ndeshjen duke qenë se gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 12-të me anë të Cephas.
Gjithsesi, golat në fraksionin e parë nuk do të mungonin pasi miqtë përmbysën ndeshjen brenda 9 minutave (27 dhe 36) me anë të Krstevski dhe Rufati. Megjithatë, te Shkupi reaguan në kohë dhe barazuan me anë të Danfas ndërsa gjetën edhe golin e avantazhit në minutat shtesë të pjesës së parë me anë të Hamidit.
Gjithsesi, nuk ishte e thënë që Shkupi të dilte me pikët e plota nga kjo sfidë pasi në shtesën e fraksionit të dytë, Akademija Pandev shënoi golin e tretë duke shtangur vendasit. Pas këtij barazimi, Shkupi mbetet në vend të dytë me 38 pikë, një më pak se Struga kryesuese.
Nga ana tjetër, Akademija Pandev mbetet në vendin e nëntë me 16 pikë. Në ndeshjen tjetër, Rabotnicki mposhti me shifrat 4-0 skuadrën e Skopjes.
