Connect with us

Hi, what are you looking for?

Nations League

“Gjelat kundër djajve”, sot përcaktohet finalistja e dytë

Pas gjysmëfinales së parë, radhën për të zbritur në fushë do ta kenë Belgjika me Francën e dy nga katër kombëtaret më të forta në glob do të nxjerrin kështu edhe përfaqësuesen tjetër finaliste të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.

Blutë do të bëjnë çmos për të hedhur pas krahëve zhgënjimin që pësuan në Europianin e fundit, ndërsa “Djajtë e Kuq” këtë herë synojnë që të shkojnë deri në fund, për të koleksionuar në këtë mënyrë edhe trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e përfaqësueses belge. Për të regjistruar një rezultat të tillë “les diables rouges” duhet patjetër të sigurojnë diçka që nuk e arrijnë prej plot katër dekadash, sepse për hir të së vërtetës Belgjika nuk e mund Francën në sfidat kompetitive që nga viti i largët 1981.

Belgjika vazhdon të përfaqësojë forcën e parë në glob, në klasifikimin e FIFA-s, ndërsa Franca ka rrëshqitur në pozicionin e katërt në renditjen botërore, me 78 pikë më pak se sa skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez. Kurioz është fakti që në stafin drejtues të Belgjikës bën pjesë edhe ish-sulmuesi i famshëm Thierry Henry, i cili përfaqëson pikërisht golashënuesin më të mirë në historinë e “gjelave”.

Më saktë bëhet fjalë për një rikthim të 44-vjecarit parizien në këtë post, duke pasur parasysh që ish-sulmuesi i mirënjohur me origjinë nga Guadalupe dhe Martinika ka qenë pjesë e stafit të Belgjikës, si asistent I spanjollit Roberto Martinez nga 2016 deri në vitin 2018, kur edhe vendosi të largohej nga kjo detyrë, menjëherë pas përfundimit të botërorit rus. Të dy vendet u kualifikuan me nga 5 fitore nga grupet e tyre respektive.

Kështu në fazën e parë kualifikuese të UEFA Nations League në Grupin e Dytë humbjen e vetme Belgjika e pësoi në Wembley me Anglinë, ndërkohë Franca në krahun tjetër barazoi me rrjeta të paprekura në “Saint – Denis” me Portugalinë dhe më pas ia doli të triumfojë brenda në Stadiumin da Luz të Lisbonës ndaj përfaqësueses luzitane, falë një goli të realizuar në fillimin e pjesës së dytë nga mesfushori i Chelsea-t N’Golo Kante.

Në fazën finale të evropianit të fundit pritshmëritë ishin tepër të larta dhe Franca me Belgjikën konsideroheshin si dy kombëtaret favorite për të ngritur në Londër trofeun më të rëndësishëm kontinental, në rang përfaqësuesesh, por dy vendet zhgënjyen pa masë duke u eliminuar vërtet shumë herët. Në këtë mënyrë kampionët në fuqi të botës ranë pre e euforisë së tyre krejtësisht të pajustifikueshme, teksa blutë u eliminuan pas gjuajtjeve të 11-metërshave që në fazën e parë të knock out-it nga Zvicra, që padyshim shkaktoi një ndër befasitë më të mëdha të evropianit të fundit.

Mosmarrëveshjet e shumta, arroganca dhe mendjemadhësia e tepërt e futbollistëve, ose qoftë edhe dobësia e trajnerit Didier Deschamps për të frenuar dhe menaxhuar egot dhe kërkesat absurde të lojtarëve të tij bënë që Franca të mos shfaqej për asnjë cast si një skuadër e madhe, apo si ekipi që zbriti në fushë me petkun e favoritit për fitimin e trofeut Henri Delaunay. Vetë 52-vjecari largoi në mënyrë absurde nga fusha në castet e fundit të kohës së rregullt sulmuesin Antoine Griezmann, duke menduar kështu vetëm për të mbrojtur rezultatin.

Futbollisti në pronësi të Barcelonës ishte ndër më të mirët për “gjelat” në atë takim, sidoqoftë pas largimit të sulmuesit të Realit Karim Benzema në startin e kohës shtesë u kuptua qartë që “blutë” nuk kishin më forcën e duhur, për të shënuar në kohën suplementare dhe shmangur goditjen e penalltive, të cilat në fund rezultuan edhe fatale për kampionët në fuqi të botës. Edhe dështimi I Belgjikës në krahun tjetër lidhet ngushtë me emrin e trajnerit katalanas, që drejton “djajtë e kuq” që nga viti 2016.

Për habinë e të gjithëve në mënyrë naive 48-vjecari e orientoi skuadrën e tij për të imituar në lojë italianët. Natyrisht një mënyrë të tillë loje “axurrët” e interpretojnë shumë herë më mirë dhe italianët konfirmuan se janë mjeshtra të vërtetë në administrimin e avantazhit, e për pasojë Belgjika u largua sërish pa lavdi nga një kompeticion madhor. Si për ironi të fatit në botërorin e fundit trajneri Roberto Martinez bëri krejt të kundërtën në sfidën e drejtpërdrejtë me Francën dhe “blutë” përfituan për t’u kualifikuar për në finalen e madhe të Moskës, falë golit të realizuar në fillimin e pjesës së dytë nga qendërmbrojtësi Samuel Umtiti.

Takimi i luajtur përpara 64.000 spektatorëve në Stadiumin Gazprom Arena të Shën Petërsburgut 37 muaj më parë përfaqëson edhe përballjen e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave përfaqësuese. Belgjika ka humbur vetëm 1 nga 17 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet. Bëhet fjalë pra pikërisht për disfatën 2-1 me Italinë në Stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut, ndërkaq në krahun tjetër Franca ka humbur vetëm 1 nga 27 takimet e fundit në të gjithë aktivitetet, brenda kohës së rregullt, madje edhe ky rast është regjistruar në disfatën 2-0 në një ndeshje miqësore me Finlandën 11 muaj më herët, brenda në Stade de France.

Për momentin në ndeshjet eliminatore të botërorit të ardhshëm dy vendet ndihen të sigurtë për kualifikimin e tyre në Katar. Kampionët në fuqi të botës udhëheqin Grupin D me plot 7 pikë më shumë se Ukraina, megjithëse “gjelat” për hir të së vërtetës kanë luajtur një ndeshje më shumë se verdheblutë, ndërsa Belgjika në Grupin E kryeson me plot 9 pikë më tepër se Republika Çeke dhe Uellsi, që gjithsesi kanë zhvilluar respektivisht nga një dhe dy takime më pak, krahasuar me “djatë e kuq”.

Përsa i përket ndeshjes Didier Deschamps duhet të mendojë për lojtarin që do të vendosë në ndihmë të futbollistit të Manchester United Paul Pogba, për shkak të mungesës së madhe të mesfushorit N’Golo Kante. Përpara blutë pritet të zbresin në fushë me treshen Griezmann – Mbappe – Benzema, ndërkaq në anën tjetër trajneri Roberto Martinez I ka të gjithë në dispozicion, kështuqë “djajtë e kuq” do të rreshtojnë në sulm trion Kevin De Bruyne – Eden Hazard – Romelu Lukaku.

“Big Rom” që përfaqëson golashënuesin më të mirë në historinë e “les diables rouges” me 67 gola ka realizuar në 4 nga 5 takimet e tij të fundit me fanellën e përfaqësueses, sidoqoftë për momentin 28-vjecari me origjinë kongoleze paraqitet pas një forme disi të dobët me Chelsea-n. Në anën tjetër Franca nuk ka humbur asnjë nga 24 ndeshjet ku ka realizuar veterani Karim Benzema. Për më tepër në katër dekadat e fundit blutë kanë humbur vetëm 2 nga 12 sfidat mes tyre, e madje edhe në ato raste bëhet fjalë për dy humbje në ndeshje miqësore të luajtura brenda në kryeqytetin francez. Belgjika kryeson bilancin e përgjithshëm të 74 përballjeve ndërmjet dy vendeve, 30 me 25 me fitore, ndërsa 19 takime kanë përfunduar në barazim. Ndeshja Belgjikë – Francë do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin e Juventusit dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Daniel Siebert.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...