Connect with us

Hi, what are you looking for?

Nations League

Gjermania “e dënuar” të fitojë në Francë

Gjashtë javë pas barazimit pa gola në “Allianz Arena”, Gjermania me Francën përballen sërish në Ligën e Kombeve, këtë herë në “Saint-Denis”, në orën 20:45, në një ndeshje përcaktuese për fatin e Grupit të Parë të Divizionit A. Në këtë grup fillon kështu faza e dytë e ndeshjeve dhe situata është shumë e paqartë, pasi kampionët në fuqi të botës për momentin kryesojnë në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Holanda ndjek nga afër me vetëm një pikë më pak.

“Blutë” rikthehen në “Stade de France”, ku muajin e kaluar skuadra e drejtuar nga Didier Deschamps fitoi jo pa vështirësi me Holandën, megjithatë “tulipanët” treguan shenja të qarta përmirësimi vetëm tre ditë më parë, teksa mundën bindshëm në “Johan Cruyff Arena” 3-0 Gjermaninë. Në Amsterdam natyrisht “panzer”-at patën mundësitë e tyre dhe deri në minutën e 87′ Gjermania ishte krejtësisht në lojë, megjithatë pas eliminimit të turpshëm në botërorin rus apo qoftë edhe ecurisë së dobët gjatë gjithë kësaj periudhe, kuptohet qartë që gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm dhe ekipi i Joachim Loë ka shfaqur probleme të mëdha në organizim, pa lënë mënjanë edhe defektet si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.

Në 12 ndeshjet e fundit “die mannschaft” ka mposhtur vetëm Arabinë Saudite, Suedinë dhe Perunë, madje dy prej këtyre kundërshtarëve Gjermania i ka mundur vetëm në çastet e fundit, gjithsesi edhe “gjelat” në krahun tjetër nuk është se po shkëlqejnë, pasi në tre sfidat e fundit francezët kanë krijuar fare pak raste, duke fituar vetëm duelin me “portokallinjtë”, ndërsa në miqësoren me Islandën në Guingamp “blutë” ia dolën mbanë për të barazuar me shumë shumë fat, me dy gola të vonë. Një fitore në kryeqytet me shumë gjasa do t’i kualifikojë futbollistët e trajnerit Deschamps për në fazën gjysmëfinale të këtij divizioni, për më tepër Franca nuk njeh humbje në katër përballjet e fundit ndërmjet tyre.

Me interes pritet gjithashtu edhe takimi tjetër i orës 20:45 Ukrainë-Republika Çeke. Kjo ndeshje është e vlefshme për Grupin e Parë të Divizionin B, grup ku “verdheblutë” kryesojnë me pikë të plota, pas dy sfidave të para, ndërsa çekët pozicionohen të dytët, falë triumfit 2-1 brenda në Trnavë vetëm tre ditë më parë ndaj Sllovakisë. Nën drejtimin e trajnerit Andriy Shevchenko, Ukraina është përmirësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Gjithçka madje përkon me miqësoren 2-1 që “verdheblutë” fituan në L’viv pikërisht ndaj Republikës Çeke 12 muaj më parë, sepse që nga ajo kohë Ukraina ka fituar 5 dhe barazuar 3 nga 8 ndeshjet e fundit, ku spikat edhe barazimi 1-1 me Italinë e Mancini-t në Gjenovë, në një tjetër takim miqësor.

Muajin e kaluar ukrainasit pësuan gol që në 4′, megjithatë futbollistët e Shevchenkos treguan karakter dhe përmbysën gjithçka, duke shënuar golin e fitores vetëm në fund, me anë të mesfushorit të City-t Zinchenko, gjithsesi gjërat janë të qarta dhe për t’u kualifikuar për në fazën tjetër në Nations League vendasve në këtë duel iu mjafton edhe barazimi. Shumë pranë kualifikimit për në fazën gjysmëfinale të edicionit të parë të Ligës së Kombeve është gjithashtu edhe Maqedonia, që në kategorinë më të ulët, pra divizionin D kryeson Grupin e Katërt me 9 pikë pas tre ndeshjeve të para.

Këtë herë gjithsesi skuadrën e Igor Angelovskit e pret një mision i vështirë, pasi Maqedonia do të vizitojë Armeninë në orën 18:00. Tre skuadrat e tjera ndjekin nga prapa me nga 3 pikë, sidoqoftë Maqedonia po kalon një formë të shkëlqyer, teksa nuk njeh humbje në 10 ndeshjet e fundit, kështu që edhe një pikë në Yerevan do t’i afronte ndjeshëm miqtë me kualifikimin për në “final four”. Po në Supersport në orën 20:45 gjithë abonentët do të kenë gjithashtu rastin për të ndjekur edhe takimin miqësor Belgjikë-Holandë.

Ndeshja do të luhet në Bruksel dhe për shkak të afërsisë gjeografike, apo dhe rivalitetit historik, përballjet ndërmjet tyre nuk konsiderohen kurrë si miqësore. Kjo është sfida e 127 në histori ndërmjet tyre dhe Holanda kryeson 55-41 me fitore, por sidoqoftë “djajtë e kuq” nuk njohin humbje në shtatë ndeshjet e fundit dhe nuk munden prej plot 21 vjetësh, më saktë që nga viti 1997 kur “portokallinjtë” nën drejtimin e trajnerit Guus Hiddink fituan 3-1 në një ndeshje të vlefshme për fazën eliminatore të Kupës së Botës Francë 1998.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...