Gjilani-Dukagjini kanë zhvilluar këtë të dielë ndeshjen e raundit të 14-të të Superligës së Kosovës.
Vendasit morën fitoren minimale 1-0, me rezultatin që u vulos vetëm në minutën e 82’ falë golit të Ramadanit.
Kështu ish-trajneri i Egnatias, Zekiria Ramadani është duke kaluar një periudhë të mirë në Kosovë, me Gjilanin që aktualisht renditet në vend të tretë me 22 pikë, teksa Dukagjini renditet në vend të 8-të me 12 pikë.
Llapi bën “poker” ndaj Dritës në shtëpi, duke e mbyllur mjaft mirë raundin e 14-të. Vendasit zhbllokuan sfidën në minutën e 9’ me Fazliu-n, në minutën e 26’ ishte Bianor ai i cili gjeti rrugën drejt rrjetës, në të 38’ Shabani dhe në minutën e 42’ shënoi Rivera.
Teksa për Dritën rrugën drejt rrjetës e gjeti vetëm Simonovski në minutën e 17, pra llogaritë e kësaj sfide u mbyllën që në pjesën e parë.
Pas këtij takimi Llapi renditet në vend të 6-të me 16 pikë, teksa Drita vijon të kryesojë me 30 pikë.
Megjithatë duhet theksuar se Ballkani i vendit të dytë numëron 3 ndeshje më pak se Drita dhe deri më tani ka grumbulluar 26 pikë.
Vlen të rikujtohet se sfida Ballkani-Prishtina e vlefshme për raundin e 14-të të Superligës së Kosovës është shtyrë për shkak të kalendarit shumë të ngjeshur të ekipit nga Suhareka, prej pjesëmarrjes në fazën e grupeve të Conference League.
