Skënderbeu bëri përfaqësimin më të mirë që një skuadër shqiptare mund të ketë bërë vitet e fundit në arenën europiane në një transfertë ndaj një rivali me emër. Shpeshherë fati ka qënë kundër ekipeve tona, shumë herë gjykimet jo të përshtatshme, por Skënderbeu në Maksimir vuajti gjykimin skandaloz të gjyqtarëve letonez. Për të mos përmendur kartonat, ku fare mirë Gojak mund të kishte përfunduar me të kuqe nëse kryesori Treimanis do të ishte treguar i saktë, asistenti i parë la shumë për të dëshiruar.
Madje kishte dorën e tij në rezultatin final të sfidës. Gjithcka nis me golin e anulluar të Latifit në minutën e 9, ku shihet fare qartë se si Vangjeli ashtu edhe fantazisti ishin në pozicion mëse të rregullt. Sërish flamuri i asistentit ndal një aksion premtues kur në minutën e 26 Ali Soue niset në pozicion të rregullt, teksa do të prezantohej përballë portierit kundërshtar. Koha shtesë në pjesën e dytë është kontestuar ashpër, pasi në 45 minuta nuk pati ndalesa të mëdha për të sinjalizuar 5 minuta të tjera mbi kohën e rregullt. Megjithatë gabimet vijojnë, teksa goli i barazimit është dukshëm i parregullt. Asistenti që në pjesën e parë kishte vendosur lupën për pozicionet e Latifit dhe Soue nuk sheh avancimin e qendërmbrojtësit argjentinas Sigali, që mer pjesë dukshëm në aksionin e golit. 3 vendime absurde nga i njëjti asistent por që në fund rezultuan decizive si një pengesë për Korcarët, që gjithsesi treguan një rritje të jashtëzakonshme në nivelin europian.
