Robin Gosens gjeti golin e parë me fanellën zikaltër dhe ku më mirë se në një ndeshje derbi, duke vulosur fitoren 3-0 dhe kualifikimin e Interit në finalen e Kupës së Italisë.
Anësori gjerman erdhi nga stoli në minutën e 78’ dhe shënoi me prekjen e parë të topit, ndërsa pas ndeshjes theksoi se Interi është skuadra më e fortë, që ka detyrim të fitojë edhe kampionatin.
Keni mbyllur ndeshjen me golin e parë zikaltër. Sa i kënaqur jeni?
Jam shumë i kënaqur, pasi nuk ishte një gol shumë i bukur, por i rëndësishëm. Unë bëj shpesh këtë lloj lëvizjeje në zonë dhe jam i kënaqur kur shënoj. Provoj shpesh të vij në shtyllën e dytë, pasi kur vij me shpejtësi, është e vështirë të më markojë kush.
Fitore që ju jep karikim edhe për kampionatin…
Jam i sigurt për këtë, pasi jemi ringritur pas një periudhe të vështirë dhe po tregojmë cilësitë tona. Kemi edhe 6 finale, të cilat duam t’i fitojmë të gjitha, për të qenë të sigurt që marrim titullin.
Çfarë të impresionon më shumë te Interi?
Klubi në tërësi. Kam ardhur në një nga klubet më të mëdhenj në botë dhe për këtë duhet të tregoj veten, të shfaqem në lartësinë e duhur. Në skuadër ka lojtarë të një kualiteti shumë të lartë, përfshi këtu edhe konkurrentin tim direkt, Perisic, që po bën një kampionat të jashtëzakonshëm. Jam i sigurt që do të rritem edhe më shumë në këtë grup.
