Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Granada-Real Madrid ora 22:00, “Los Blancos” për të mbyllur llogaritë e titullit

Përgatiti: Alked Gjebrea

Reali i Madridit vazhdon të bëjë përpara me 100% të pikëve që nga rikthimi i kampionatit në Primera Division (rekordmenët e futbollit spanjoll numërojnë plot 8 fitore radhazi). Një ecuri vërtet shumë e mirë, falë së cilës me shumë gjasa klubi i famshëm madrilen do të sigurojë edhe titullin e dytë që nga viti 2012 në ligën spanjolle.

Eibar, Valencia, Sociedad, Mallorca, Espanyol, Getafe, Bilbao dhe Deportivo Alaves, janë këto tetë skuadrat që ekipi i drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane ka kaluar me radhë që nga data 14 qershor. Pra plot 8 fitore të siguruara në harkun e vetëm 26 ditëve, një ecuri tepër pozitive, madje në pesë ndeshjet e fundit ekipi “merengues” ka triumfuar pa pësuar fare gol.

Reali vërtet i ka fituar 3 nga 4 sfidat e fundit me rezultatin minimal 1-0, por sidoqoftë një detaj i tillë tregon në njëfarë mënyre edhe karakterin që ka fituar skuadra, që pas shkëputjes së gjatë dhe periudhës së izolimit për shkak të pandemisë së Koronavirusit. Kritikat në adresën e trajnerit francez pas dështimit për krijimin e një lloj identiteti të ri për skuadrën apo edhe gjetjen e një lloj loje të përshtatshme për ekipin, sidomos pas shifrave të çmenduara që u shpenzuan në merkato, janë zhdukur si me magji dhe polemikat e shtypit vendas, sidomos atij katalanas, në lidhje me gjykimin apo dhe trajtimin e diferencuar që ka patur sipas tyre klubi “merengues” tashmë janë hedhur pas krahëve.

Natyrisht që te klubi “blaugrana” ndihen keq, sepse një pjesë të mirë të titullit duket sikur ua kanë dhuruar vetë me duart e tyre rivalëve të përjetshëm, gjithsesi Reali e meriton në mënyrë të padiskutueshme për të qenë këtu ku është dhe jo vetëm prej suksesit në “El Clasico”, në ndeshjen direkte.

Formacioni madrilen i ka fituar 8 sfidat e fundit në Primera Division me golaverazhin 15-2 dhe tani është vetëm dy fitore larg titullit të shtatë në mijëvjeçarin e ri dhe të 34-t gjithsej në historinë e klubit, pra 8 më tepër se Barça, që kishte dominuar më së shumti dekadën e fundit, madje në sezonet e mëparshëm trajnerët ndërroheshin dhe Barcelona vazhdonte të fitonte pa shumë vështirësi, deri në atë pikë sa për të koleksionuar 8 tituj në 11 edicionet e fundit.

Tri sfidat e mbetura janë ndaj skuadrave të tilla si Granada, Villareal dhe Leganes, kështu që Realit matematikisht do t’i mjaftojnë edhe dy barazime dhe vetëm një fitore nga këto ndeshje për t’u kurorëzuar me një trofe që i mungon që nga viti 2017, për më tepër në dy edicionet e fundit klubi “merengues” është lënë prapa jo vetëm nga Barcelona, por gjithashtu edhe nga Atletico e Diego Simeones.

Sezonin e kaluar Reali e mbylli kampionatin me vetëm 68 pikë gjithsej, ndërsa këtë herë “los blancos” krenohen që tani me plot 12 pikë më shumë, madje mbeten edhe tri ndeshje të tjera dhe, nëse do të vijojë ky marshim triumfues, skuadra “merengues” mund ta fitojë titullin në ligën spanjolle me dy pikë më shumë nga ç’grumbulloi Barcelona e Valverdes një sezon më parë.

Në krahun tjetër Granada ka bërë goxha udhë, duke patur parasysh që 13 muaj më parë klubi andaluzian u shpall nënkampion i Spanjës në Segunda Division, ndërsa sivjet ekipi i drejtuar nga trajneri Diego Martinez e shikon veten vetëm 3 pikë larg vendit të gjashtë, pozicionit të garantuar që mundëson pjesëmarrjen në Europa League, sepse, siç dihet, klubi i shtatë spanjoll do të kualifikohet për në Kupat e Evropës nëpërmjet finales së Kupës së Mbretit, derbit bask Bilbao – Sociedad, që do të luhet në muajin gusht.

Granada paraqitet në këtë duel me 7 pikë të marra në 3 ndeshjet e fundit dhe me 50 pikët e grumbulluara skuadra andaluziane tregon qartë që e garantoi qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll që përpara shpërthimit të pandemisë së Koronavirusit. Te vendasit janë disa lojtarë që vazhdojnë të kenë probleme të shumta fizike, ndërsa në krahun tjetër do të vazhdojë të mungojë Marcelo, por do të rikthehet kapiteni Sergio Ramos, ndërkohë përpara në sulm golashënuesi më i mirë i ekipit, Karim Benzema, është riaftësuar në kohë dhe do të jetë në krah të brazilianit Vinicius Junior.

Takimi Granada – Real do të luhet në orën 22:00, në “Estadio Nuevo Los Carmenes”, dhe interesant është fakti që “los blancos” kanë fituar radhazi 9 përballjet e fundit ndërmjet tyre, duke shënuar madje plot 29 herë në portën e skuadrës andaluziane në 7 sfidat më të fundit mes tyre, në Primera Division.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...