Eros Grezda në kombëtare është thërritur tetorin e kaluar në Kombëtare nga De Biasi ka pritur deri në 24 mars për të debutuar me fanellën kuqezi në fundin e ndeshjes me Italinë, ndërsa më pas është aktivizuar për rreth gjysmë ore me Luksemburgun. Jo dhe aq shumë por mos prisni ambicie të sëmurë apo polemika nga 22 vjecari, Eros Grezda është aty, kokëulur dhe punëtor, i gatshëm për të dhënë maksimumin në pritje të shansit të tij.
“Për fat të keq nuk kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e parë, kam luajtur disa minuta me Italinë dhe me Luksemburgun, nuk e di sesa kam arritur tia mbush mendjen trajnerit, por unë kam dhënë maksimumin dhe shpresoj të luaj që nga minuta e parë në ndeshjet e ardhshme. Trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij, për ne e futbollistët e rëndësishme është të tregojmë vlerat tona sa herë që na jepet rasti të luajmë”
Në të njëjtin kontekst edhe përgjigja në lidhje me pozicionin që preferon, Për Grezdën është dicka dytësore, e rëndësishme është të japë kontributin e tij për skuadrën.
“Duhet të luajmë në cdo pozicion që trajneri dëshiron. Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse luaj si mesfushor krahu, si mesfushor pas sulmuesit apo si sulmues, unë jam i gatshëm të luajë aty ku ka nevojë skuadra. Nuk mund të bëj një koment për vendimin e trajnerit për Cikalleshin pasi cdo trajner bën zgjedhjet e tija”.
I gatshëm për të bërë madje edhe Sadikun në majën e sulmit, Grezda e pranon se ndaj Lihtenshtejnit është një ndeshje që duhet luajtur përpara.
“Luajmë me Lihtenshtejnin dhe ne jemi ekipi favorit dhe duhet të sulmojmë, për këtë arsye trajneri ka grumbulluar më shumë lojtarë në repartin ofensiv pasi hymë në fushë vetëm për të marrë fitoren dhe për këtë duhet të luajmë me një skemë më sulmuese.
Ndoshta për dikë përballja me Lihtenshtejnin mund të duket e lehtë, por në futboll asgjë nuk mund të merret e garantuar, dhe mesazhi i Grezdës në këtë rast është shumë më i pjekur se 22 vitet që mban mbi shpinë.
” Skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen me Lihtenshtejnin sepse nuk është një sfidë e lehtë, sot të gjithë kundërshtarët janë të vështirë, edhe pse në letër e quajmë si një sfidë të fituar duhet ti marrim pikët në fushë. Të mposhtim Lihtenshtejnin njëherë dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë, edhe atje do të shkojmë për fitore”.
