Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Hadërgjonaj, për “Daily Mail”: Futbolli tregon fytyrën më të mirë të Kosovës

I lindur dhe rritur në Zvicër, Florent Hadërgjonaj i Huddersfieldit vendosi të përfaqësonte Kosovën më herët, gjatë këtij viti. Duke patur parasysh historinë e ekipit më të ri të futbollit, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mbrojtësin 25-vjeçar. Kështu nis një shkrim i gjatë në “Daily Mail”, kushtuar Kosovës, që është kundërshtarja e radhës e Anglisë në Euro 2020.  “Kur lojtarët tanë ulen dhe bisedojnë, nuk flasin veç për futboll. Secili ka historinë e tij. Ata që s’ishin në Kosovë gjatë luftës pyesin ata që ishin. Ne dëgjojmë nga bashkëlojtarët tanë teksa flasin ecjet nëpër male për t’u shpëtuar luftës teksa ishin fëmijë. Pa ushqim, duke ecur për dy apo tre ditë e dëgjuar të shtënat përreth. Është emocionuese sepse e kupton se edhe familja, xhaxhallarët, kushërinjtë e tu, mund të ishin përballur me të njëjtën gjë”, – rrëfen Hadërgjonaj.

“Daily Mail” vazhdon më tej duke shkruar për historinë e dhimbshme të Kosovës si pjesë e ish-Jugosllavisë, ndarjen me luftë, që çoi në vrasjen e rreth 14 mijë personave e shpërnguljen e shumicës së popullatës. Tregohet po ashtu edhe historiku i pasluftës, duke theksuar shpalljen e pavarësisë më 2008 e pranimin në futbollin ndërkombëtar më 2016.

“Ekipi i futbollit tregon fytyrën e mirë të shtetit tonë. Lojtarët tanë janë të lindur në shtete të ndryshme, por janë bërë bashkë për të bërë gjëra të mëdha. Dashuria për futbollin është e çmendur. Kemi mposhtur Bullgarinë në Sofje dhe qindra fansa ishin në aeroport deri në tre të natës për të na përshëndetur. Nëse dalim për të ngrënë, nuk na lënë të paguajmë. Stërvitjet i bëjmë duke u argëtuar. Nuk mund ta imagjinoj se çfarë do të ndodhë nëse do kualifikohemi në finalet e “Euro 2020”, – vijon Hadërgjonaj.

Një arritje e tillë s’është imagjinare. Kosova jo vetëm që ka pasion, por është edhe një skuadër e mirë. Ekipi aktual përbëhet nga lojtarë që luajnë në 14 liga të ndryshme, përfshirë Italinë, Rusinë, Gjermaninë e katër nga “Championshipi” anglez.

Edhe nëse Kosova nuk arrin një nga dy vendet e para në Grupin A kualifikues, ekziston akoma shansi për kualifikim në “Euro 2020” përmes play-offi-t në Ligën e Kombeve e ku do të përballet në gjysmëfinale me Maqedoninë, shpjegon “Daily Mail”.

Historia e Hadërgjonajt është e veçantë. Prindërit e tij lanë Kosovën për një jetë të re në Zvicër, para se të nisnin telashet. Ai ishte veç pesë vjeç kur shpërtheu lufta. “Kam sigurisht informacione, por ishte më vonë kur e kuptova në të vërtetë se çka kishte ndodhur. Ishte vështirë për prindërit e mi. Pjesa tjetër e familjes sonë po luftonte për jetët e tyre dhe nuk mund të bënim asgjë. Babai im kishte kushërinjtë që ishin në ushtri dhe u vranë. Kur kthehem tash në Kosovë, vizitoj familjet, gratë pa burra e fëmijët pa etërit. Ndihem me fat që kam qenë në Zvicër. Më dha gjithçka dhe më mundësoi të bëhem futbollist”.

 

Kur u formua ekipi përfaqësues i Kosovës, “yjet” botërore si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka mbetën në ekipin kombëtar të Zvicrës dhe nuk ndërruan ambient. Hadërgjonaj ishte po ashtu pjesë e Zvicrës U-21, por vendosi të bashkohej me bashkëlojtarët Bersant Celina, Aro Muriq e Atdhe Nuhiu në Kosovë. Të gjithë këta janë pjesë e “Championshipit”, rangut të dytë të futbollit në Angli.

“Ishte e vështirë të vendosja. Zvicra u dha prindërve të mi jetë më të mirë, por edhe unë kisha familjen që ka luftuar për një shtet që po rritet. Kam folur sinqerisht me Federatën e Zvicrës dhe jam falënderues që më kanë mirëkuptuar dhe nuk e kanë bërë të vështirë për mua”, – shpjegon më tej Hadërgjonaj.

Mbrojtësi i krahut ka përvojë më shumë se bashkëlotjarët me përballjen me lojtarët anglezë si Harry Kane, Marcus Rashford e Raheem Sterling.

“Lojtarë të tjerë të Kosovës më kanë pyetur se si janë futbollistët anglezë. U kam thënë: djema shikoni videot, nuk mund t’ju ndihmoj. Anglia ka lojtarë të mrekullueshëm. Duken të rrezikshëm në TV, por duhet t’u them se është edhe më vështirë në fushë. Tifozët tanë vijnë nga çdo vend për këtë ndeshje. E donim Wembley-n para Southamptonit, por ndoshta një stadium më i vogël do të jetë më mirë për ne. 30 mijë në vend të 80 mijëve. Kam luajtur në “St Mary’s” më herët dhe kam barazuar 1-1. Do ta pranoja këtë rezultat tani”, – e mbyll Hadërgjonaj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...