PSG mund t’i japë një tjetër goditje Barcelonës gjatë janarit, duke u rrëmbyer “blaugranave” objektivin më të rëndësishëm të merkatos, brazilianin Coutinho. Pasi vendosi të paguante klauzolën e largimit të Neymar, që kapte shifrën 222 milionë euro, klubi francez synon të vendosë nën urdhrat e Unai Emery edhe 25-vjecarin e Liverpulit, që deri në orët e fundit të merkatos verore bëri presion për t’iu bashkuar Barcës. Cmimi i lartë i kartonit, i vendosur nga drejtuesit e klubit angez, e detyroi Barcelonën të bënte prapakthehu, të paktën përkohësisht, por me futjen në lojë të PSG-së, situata është komplikuar.
Sipas mediave spanjolle, ndikim kryesor në vendimin e drejtuesve të skuadrës franceze për të tentuar Coutinhon ka patur Neymar, që është i gatshëm të bëjë gjithcka për të dëmtuar ish-ekipin e tij, të cilin madje e hodhi në gjyq për 26 milionë euro.
Në kryeqytetin francez paratë nuk janë problem, aq më tepër që do të ketë largime lojtarësh të rëndësishëm, që mund të kthejnë disi ekuilibrat në financa. I pari që pritet të largohet për shkak të përplasjes me Neymar është Edinson Cavani. “El Matador”, i vetëdijshëm për hierarkinë e re në skuadër, ku në majë qëndron Neymar, do të pranonte të transferohej të një tjetër klub i madh, lëvizje që do të pasohej me blerjen e Coutinhos. Për Neymar do të ishte një hakmarrje e ëmbël ndaj katalanasve, me të cilët është në luftë të hapur.
