Formula 1

Hamilton dhe Alonso: Gara e Montecarlos, e mërzitshme

Çmimi i Madh i Monacos i zhvilluar të dielën u pëlqeu shumë pak personave. I mërzitshëm dhe monoton, asnjë parakalim në pozicionet e para, thjesht pilotë që plotësonin xhirot. Çdo sezon ka pakënaqësi për këtë pistë të improvizuar në rrugët e qytetit të Montecarlos. Kësaj herë është më i fortë zëri kundër këtij Çmimi të Madh dhe ata që flasin nuk janë as më shumë e as më pak se kampioni aktual i botës, Lewis Hamilton, dhe ish-kampioni Fernando Alonso.
“Gara më e mërzitshme që kam zhvilluar ndonjëherë”– deklaroi britaniku, ndërkohë që akoma më i ashpër ishte spanjolli i McLarenit: “Nuk kam garuar ndonjëherë në një çmim të madh më monoton se ky, tej mase i mërzitshëm. Në asnjë moment nuk hyri makina e sigurisë, asnjë flamur i verdhë. Duhet menduar edhe për spektaklin, sepse, në të kundërt, kthehemi në një sport zhgënjyes. Duhet t’u dhurojmë diçka tifozëve që paguajnë biletën. Po e përsëris, gara e Monacos është e mërzitshme, nisemi nga pozicioni që kemi fituar në kualifikuese dhe e mbyllim po në të njëjtin pozicion”.
Çmim i Madh i Montecarlos është një ndër më të vjetrit në histori. Gara e parë daton në vitin 1929. Pavarësisht ankesave të pilotëve, sponsorët dhe te ardhurat që gjeneron kjo pistë e bëjnë mjaft të vështirë përjashtimin nga garat e Formulës 1.

To Top