Hamilton triumfon në Suzuka të Japonisë dhe prek titullin, kur kanë mbetur edhe katër gara, deri në përfundim të sezonit. Britaniku i Mercedes tani ka shkuar në +59 pikë nga rivali i tij, gjermani Vettel dhe diferenca dukt e parikuperueshme. Bashkë me Hamilton, në podium u ngjitën edhe dy pilotët e Red Bull, Verstappen dhe Ricciardo, ndërsa Bottas e Raikonnen plotësuan pesëshen e parë.
Sebastian Vettel ka pasur një problem në makinën e tij dhe është detyruar të tërhiqet në bokse që në xhiron e pestë, duke përfunduar një tjetër garë pa pikë. Pista e Japonisë i jep goditjen e radhës pilotit të Ferrarit, në luftën për titull, pasi tani duket thuajse e pamundur t’ia rrëmbejë atë Hamiltonit.
“Patëm një problem të vogël, që na shkaktoi një më të madh dhe u detyruam të braktisim garën. Kur kanë mbetur edhe katër xhiro nga fundi, nuk do shumë njohuri në matematikë që të llogaritësh se titulli është thuajse i pamundur, por më duhet të pranoj se ky ka qenë një sezon ku na ka munguar fati në fazën më deçizive”, tha i dëshpëruar Vettel.
Gara e ardhshme do të zhvillohet më 22 tetor, në Shtetet e bashkuara të Amerikës.
