Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Hopman Cup, Zvicra e Federerit triumfon ndaj Gjermanisë

Për të dytin vit radhazi Zvicra triumfoi në Hopman Cup dhe merita kryesore për një arritje të tillë pa dyshim i takon fituesit të 20 titujve Slam, Roger Federer. Ashtu si edhe në edicionin e kaluar, në finalen e madhe të këtij aktiviteti përfaqësuesja helvete mposhti ekipin e Gjermanisë dhe kurioz është fakti që në jugperëndim të Australisë, në Perth, ashtu si edhe 12 muaj më pare, dy vendet u paraqitën me po të njëjtat zgjedhje, Zvicra me dyshen Roger Federer – Belinda Bencic dhe Gjermania me binomin Alexander Zverev – Angelique Kerber.

Në takimin hapës kampionët në fuqi morën shpejt avantazhin teksa 37-vjeçari nga Bazeli mundi bindshëm 6-4, 6-2 numrin 4 të botës, sidoqoftë Gjermania barazoi shpejt rezultatin, pasi numri 2 i botës në tenisin e femrave, Angelique Kerber, theu 6-4, 7-6, 21-vjecaren me origjinë sllovake, që pozicionohet vetëm në vendin e 54-t në klasifikimin e përgjithshëm WTA.

Në finalen e edicionit të 31 të Hopman Cup në Perth Arena, përpara 15.000 spektatorëve, dyshja Federer – Bencic fitoi me 0 setin e parë, gjithsesi Gjermania u kundërpërgjigj duke mbyllur setin pasardhës me shifrat 4-1. Pas barazimit 3-3 në setin final gjithçka shkoi në “tie break” dhe dyshja Zverev – Kerber madje pati edhe dy mundësi për të fituar titullin, sidoqoftë, në fund, pas shkëmbimeve spektakolare, Zvicra arriti ta përfundonte takimin me rezultatin 5-4, duke mbrojtur kështu me sukses titullin e vitit të kaluar.

Për Federerin, në fakt, ky është trofeu i tretë në karrierë në Hopman Cup, pasi 18 vjet më parë Roger e fitoi gjithashtu një kompeticion të tillë, kur luajti në krah të të madhes Martina Hingis, që asokohe triumfoi ndaj dyshes së Shteteve të Bashkuara Monica Seles – Jan Michael Gambill.

Sezoni i ri në tenis ka filluar prej disa ditësh dhe turnetë e parë në kalendar në çdo fillim viti luhen si zakonisht në skajin më të largët të globit, në Australi dhe Zelandën e Re. Në Queensland është duke u zhvilluar edicioni i 11 i turneut të Brisbane-t dhe ditën e shtunë u përcaktuan edhe dy tenistët që do të ndeshen ndërmjet tyre pikërisht në finalen e sivjetshme. Në finale do të masin forcat Kei Nishikori dhe Daniil Medvedev, në një duel tepër interesant ndërmjet dy tenistëve që pozicionohen në 20-shen e parë të botës.

Fillimisht, Nishikori, numri 9 në klasifikimin e përgjithshëm ATP, eliminoi francezin Jeremy Chardy në vetëm dy sete, në një takim që zgjati diçka më shumë se një orë lojë. 29-vjecari japonez e mposhti bindshëm kundërshtarin e tij 6-2, 6-2, duke siguruar në këtë mënyrë edhe finalen e dytë në karrierë në këtë kompeticion, pasi në vitin 2017 tenisti nipon u mund në tre sete në finale nga bullgari Grigor Dimitrov.

Në krahun tjetër edhe Medvedev mundi një kundërshtar nga Franca si Jo-Wilfried Tsonga, që tani ka rrëshqitur në vendin e 239 në renditjen botërore. 22-vjeçari moskovit, sidoqoftë, vuajti vërtet shumë në setin e parë, madje në setin hapës numri 16 i botës e nisi takimin fillimisht në disavantazhin 3-0, ndërsa në vazhdim në tie break Daniil Medvedev i anuloi edhe dy mundësi për setin veteranit nga Le Manshi, për të mbyllur llogaritë me rezultatin 8-6. Në setin pasardhës Medvedev dominoi shkëmbimet dhe në fund tenisti rus përfundoi gjithë ndeshjen me shifrat 7-6, 6-2, në diçka më pak se një orë e gjysmë lojë.

Te femrat në finalen e ditës së dielë do të përballen Karolina Pliskova dhe Lesia Tsurenko. Fillimisht tenistja ukrainase shkaktoi surprizën e madhe duke eliminuar në vetëm dy sete 6-2, 6-4 kampionen në fuqi në US Open, numrin 5 të botës, tenisten japoneze, Naomi Osaka, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër tenistja që mban numrin 8 në klasifikimin botëror dhe njëkohësisht kampionia e vitit 2017, 26-vjecarja çeke Karolina Pliskova theu 6-3, 6-4 kroaten Donna Vekic.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...