Connect with us

Hi, what are you looking for?

Formula 1

Horner “ngre në qiell” Verstappenin: Duket sikur ka ardhur nga një planet tjetër!

Max Verstappen në formën e tij më të mirë. E konfirmon këtë pikërisht drejtuesi i skuadrës Red Bullit, Christian Horner, që deklaroi se piloti i talentuar holandez është duke përjetuar ecurinë e tij më të mirë në karrierë. Triumfi i parë për të në Çmimin e Madh të Japonisë mjaftoi për t’i dhënë Verstappenit titullin e dytë në kampionatin botëror të pilotëve. Një arritje vërtet e jashtëzakonshme për pilotin e ekipit austriak, që rreth dy javë më parë festoi 25-vjetorin e tij.

Christian Horner tha, se me ecurinë e shfaqur gjatë këtyre dy edicioneve të fundit, Verstappen duket sikur ka ardhur nga ndonjë planet tjetër. Që tani Maksi u barazua me emra të njohur si Fernando Alonso, Mika Hakkinen, Emmerson Fittipaldi, Graham Hill, Jim Clark dhe Alberto Ascari. Suksesi në kushte shumë të vështira, në garën e shkurtuar të Suzukës fundjavën e kaluar i dha Verstappenit triumfin e 32 në karrierë, e që në këtë edicion piloti i lindur në Hasselt, në Provincën e Limburgut në Belgjikë i ka të gjitha mundësitë për të kaluar në renditjen e përgjithshme të pilotëve me më shumë Çmime të Mëdha të fituar veteranin spanjoll Fernando Alonso, që vazhdon akoma të garojë, ndonëse piloti asturian dy muaj e gjysmë më parë mbushi plot 41 vjeç.

Vetëm pesë pilotë kanë fituar më shumë gara sesa Verstappen e bëhet fjalë për emra tepër të mëdhenj si Ayrton Senna, Michael Schumacher, Alain Prost, si dhe dy pilotët që garojnë ende, Lewis Hamilton e Sebastian Vettel, me këtë të fundit që e ka bërë të qartë tërheqjen e tij përfundimtare nga kategoria elitare e automobilizmit.

Christian Horner shtoi se një kampionat i fituar është gjithmonë i vecantë, por, gjithsesi, sipas 48-vjeçarit nga Leamingtoni, presioni i titullit të sivjetshëm as që mund të krahasohet me emocionet e jashtëzakonshme të trofeut të vitit të shkuar, që kulmoi me atë fitore të çmendur në Abu Dhabi. Horner rrëfeu se sivjet Verstappen ka garuar plot krenari me numrin 1 në makinë, duke përfaqësuar ekipin në mënyrë dinjitoze dhe drejtuar njëvendëshen e tij me një siguri vërtet të admirueshme, deri në atë pikë sa për të dominuar pothuajse gjithë edicionin e 73-të të botërorit të Formulës 1. Maksi u tërhoq për probleme teknike në dy nga tre Çmimet e para të Mëdha, por në vazhdim piloti i talentuar holandez rreshtoi 11 fitore në 15 garat në vijim, kështuqë pas 17 garave të këtij edicioni Verstappen krenohet me plot 12 fitore gjithsej. Rekordi mbahet nga dyshja Michael Schumacher – Sebastian Vettel me 13 fitore sezonale, megjithatë 25-vjeçari ka edhe katër gara në dispozicion jo vetëm për ta barazuar, por edhe për ta thyer një arritje të tillë, që konsiderohej si e pamundur në kohët e sotshme.

Horner deklaroi se skuadra bëri të pamundurën për ta ndihmuar pilotin holandez pas problemeve të fillimit dhe në fakt Verstappen ia shpërbleu ekipit austriak në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dominuar plotësisht kampionatin. Horner ka mbetur tepër i befasuar nga 25” avantazh që krijoi Verstappen në Suzuka në vetëm 20 xhiro ndaj rivalit të tij kryesor, pilotit nga Montecarlo të Ferrarit, Charles Leclerc. Bosi i skuadrës Red Bull beson se Verstappen do të ruajë po të njëjtin përqëndrim dhe do të jetë po kaq i uritur edhe në katër garat e mbetura në Shtetet e Bashkuara, Meksikë, Brazil dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në mënyrë që të përmirësojë akoma më tepër rezultatet e këtij sezoni.

Pas mbrojtjes me sukses të titullit të vjetshëm tani Max Verstappen ka përpara vetes vetëm dhjetë pilotë me më shumë trofe, sidoqoftë objektivi I radhës për 25-vjecarin është kapja në kuotën e tre titujve e pilotëve të tillë si Ayrton Senna, Nelson Piquet, Niki Lauda, Jackie Steëart dhe Jack Brabham.

 

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...