Besiktasi humbi 2-1 përballë Hatayasporit në transfertë, disfatë që është përjetuar keq nga drejtuesit e klubit të njohur turk. Edhe pse goli i avantazhit erdhi në minutën e parë, ekipi vendas përmbysi gjithçka dhe siguroi pikët maksimale.
Një pikë kanë marrë bardhezinjtë në dy takimet e fundit në kampionat, ecuri që i ka kushtuar pankinën trajnerit Valerien Ismaël. 47-vjeçari francez, i cili gjatë karrierës si futbollist luajti edhe me Bayern Munchen në periudhën 2005-2007, mori drejtimin e klubit nga Stambolli në marsin e këtij viti.
Aventura e tij në stolin e Besiktasit zgjati vetëm 18 ndeshje. “Falënderojmë Valerien Ismaël për përpjekjet e tij dhe i urojmë suksese në karrierë”, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit turk, që ka si objektiv fitimin e titullit kampion.
Besiktasi renditet në vend të pestë me 19 pikë, katër më pak se kryesuesit e Fenerbahces, të cilët kanë luajtur një ndeshje më pak se kundërshtarët.
