Connect with us

Hi, what are you looking for?

Boks

I hoqën brezin e artë Saul Alvarezit, De La Hoya akuza të rënda IBF-së

Promoteri dhe ish-boksieri i famshëm Oscar de La Hoya e quajti një fyerje për këtë sport vendimin e Federatës IBF për t’i hequr titullin botëror në peshën e mesme meksikanit Saul Alvarez. Më 4 maj në T-Mobile Arena, Paradise, në Nevada të Shteteve të Bashkuara, “Canelo” mundi me vendim unanim amerikanin Daniel Jacobs dhe mbrojti titujt në peshën e mesme në versionet WBA e WBC, duke i shtuar vetes gjithashtu edhe brezin e Federatës IBF.

Edhe më parë Saul Alvarez ia kishte dalë mbanë për t’i unifikuar që të tre tituj në versionet IBF, WBA dhe WBC në peshën e mesme, pra kategorinë deri më 72,57 kilogramë, sidoqoftë tani drejtuesit e Federatës IBF kanë vendosur për t’i hequr boksierit meksikan brezin në këtë version, për shkak të refuzimit të “Canelos” për t’u ndeshur, pikërisht me sfidantin që i ofruan drejtuesit e kësaj Federate për duelin e radhës.

Tepër i nxehur, De la Hoya deklaroi se një vendim i tillë vetëm sa i jep të drejtë akoma më shumë gjithë shqetësimeve që janë ngritur në lidhje me besueshmerinë e Federatës IBF. 46-vjeçari kalifornian shkoi akoma më larg, duke shtuar se një vendim i tillë nuk është thjesht një fyerje për boksin, por gjithashtu edhe ofendim për gjithë të apasionuarit e këtij sporti, anembanë globit.

Pas këtij vendimi versioni IBF në peshën e mesme mbetet vakant, ndërsa në Federatën WBO titullin vazhdon ta mbajë boksieri nga Shtetet e Bashkuara, Demetrius Andrade. 29-vjecari Saul Alvarez u shtrëngua nga drejtuesit e Federatës IBF për t’u ndeshur me boksierin ukrainas Sergiy Derevyanchenko, që numëron vetëm një humbje gjithsej në karrierë, por palët nuk arritën dot të bien dakord, pavarësisht bisedimeve të tejzgjatura, që kaluan çdo limit të përcaktuar nga drejtuesit e kësaj Federate.

De la Hoya shpjegoi se 33-vjeçarit ukrainas, që ka zhvilluar vetëm 14 ndeshje gjithsej si profesionist, iu ofrua një shifër tepër e lartë dhe e paparecedent, duke patur parasysh popullaritetin, arritjet si dhe emrin që ai përfaqëson. “Canelo” konsiderohet boksieri më i paguar në gjithë historinë e këtij sporti, pas marrëveshjes së firmosur tetorin e kaluar me rrjetin e krijuar tre vjet më parë DAZN, për një shumë minimalisht 365 milionë dollarë për 5 vjet, për të paktën 11 ndeshje.

29-vjeçari nga Guadalajara tani pritet të masë forcat me mbajtësin e titullit në versionin WBO, pra kampionin amerikan  Demetrius Andrade, ndërkaq ukrainasi Derevyanchenko, nga ç’kuptohet, do të sfidojë ish-kampionin e botës, kazakun e famshëm me nofkën “Triple G”, Gennady Golovkin. 37-vjecari Golovkin si dhe bashkëkombasi Jorge Juarez në fillim të karrierës përbëjnë dy barazimet e vetme për “Canelon” në karrierë, ndërkaq disfatën e vetme në 55 ndeshjet e zhvilluara në boksin profesionist sportisti meksikan e ka regjistruar para 6 vjetësh në Nevada, nga legjenda Floyd Mayëeather Jr.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...