Vetëm 10 ndeshje i mjaftuan Shpëtim Duros për të shpallur Strugën kampione të Maqedonisë së Veriut. Tekniku tiranas e mori mes shumë pikëpyetjesh skuadrën shqiptare më datë 1 Mars dhe arriti ta shpallë kampion pak ditë më parë ndaj Sileksit. Sfidë të cilën djemtë e tij e fituan me rezultatin 3-0.
Për Strugën Trim&Lum ishte një sukses historik, pasi për herë të parë u kurorëzuan me titullin kampion. Pasi mposhtën konkurrencën e rivalëve më të afërt, Shkupit dhe Shkëndijës. Kundërshtarë të cilët nën drejtimin e Duros, i mundën edhe në ndeshje direkte.
Lexo edhe:
- Kahn: Muller nuk do largohet nga Bayern, do e bind unë të qëndrojë
- Roma pranë goditjes së dytë në merkato, arrihet akordi me mbrojtësin francez
- 500 ndeshje me fanellën bardhezi, Bonucci: I lumtur që kam bërë histori me Juven
- Mourinho lartëson autorin e golit: Është i pjekur si një 30-vjeçar
Çfarë e bën më interesante këtë arritje është ecuria fantastike e Shpëtim Duros nën drejtimin e struganëve. 10 ndeshje të zhvilluara: 8 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje. Një seri rezultatesh pozitive që i mundësoi të siguronin objektivin që deri para muajit mars konsiderohej utopi. Por që në harkun e disa muajve u bë i mundur, falë një impenjimi serioz dhe tejet profesionist nga i gjithë stafi dhe lojtarët.
Shpëtim Duro debutoi me fitore ndaj Shkupit me rezultatin 2-1 më 8 mars, një triumf që i mundësoi dhe nisjen e një ecurie pozitive, që vijon dhe sot e kësaj dite pas fitores në ditën e mërkurë ndaj Shkëndijës. Gjatë kësaj periudhe ku Duro ka menaxhuar 10 ndeshje, Struga ka shënuar 23 gola dhe ka pësuar vetëm 6.
Një tjetër statistikë që dëshmon punën e mirë që është bërë me klubin shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Struga Trim&Lum do të festojë zyrtarisht titullin kampion të dielën ndaj Shkupit, ndërsa më 20 maj, do të kërkojë që t’i bëjë mbylljen perfekte edicionit me anë të një triumfi edhe në finalen e Kupës përballë Makedonijas.
