Serie A

Ibra dedikim të veçantë për titullin: Qeshën me mua, por mbajta premtimin

Zlatan Ibrahimovic ka një dedikim të veçantë për fitoren e titullit të tij të dytë me Milanin, 11 vjet pas të parit. Gjiganti suedez, tashmë 40 vjeç, kujtoi menaxherin e tij të ndjerë, të famshmin Mino Raiola.

“Ia dedikoj Mino Raiolas, është trofeu i parë që fitoj pa të. Ai më shtyu të vij këtu dhe të shpëtoj Milanin dy vjet më parë. A ishte ndeshja ime e fundit? Varet se si ndihem, në ditët në vijim do të kem disa përgjigje. Nëse do të ndihem mirë, do të qëndroj. Operacioni? Të shohim çfarë do të ndodhë”.

Zlatan më pas komentoi këtë sezon triumfues të Milanit.

“Ky është titulli që më ka dhënë më shumë kënaqësi. Kur mbërrita, mbaj mend që në konferencën për shtypin më thanë se normalisht ata që kthehen atje ku kanë luajtur më parë, zakonisht dështojnë. Premtova se do ta ktheja Milanin në krye dhe do të fitoja “Scudetton”, shumë qeshnin me deklaratën time, por ja ku jemi sot, kampionë të Italisë. Këtë vit kam vuajtur shumë, por nuk hyj në detaje. Në ditët në vijim do të flas për gjithçka që më ka ndodhur.”

Në fund, disa fjalë edhe për trajnerin Stefano Pioli.

“Grupi është i fortë, trajneri ka bërë gjëra të mëdha. Punuam në heshtje dhe në fund mund të themi se fituam. Trajneri më jep përgjegjësi dhe hapësirë ​​për të qenë vetvetja. Gjatë tre muajve të fundit më tha që është i stresuar, por është normale! A isha unë i stresuar? Jo, kisha fituar edhe më parë…”.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency