Nga birra që nuk do të shitet në stadiume, e deri te ndalesa e proshutës për Spanjën dhe jo vetëm. Nis me më tepër se një polemikë Botërori në Katar. Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, në konferencën e shtypit për hapjen e kompeticionit, shprehu solidaritet me komunitetin LGBTQ dhe për punëtorët emigrantë.
“Sot ndihem i Katarit. Sot ndihem arab, sot ndihem afrikan, sot ndihem një punëtor emigrant”. Infantino e hapi konferencën për shtyp, duke folur për zgjedhjen për të përcaktuar Katarin si vend organizator të Botërorit.
“Sot kam ndjesi të mira. Jam një bir punëtorësh emigrantë. Prindërit e mi kanë punuar shumë dhe në kushte të vështira. Kujtoj se si trajtoheshin emigrantët në kufi, kur ju duheshin kura mjekësore. Kur u bëra President i FIFA-s, desha të shikoja këtu sistemimin e punëtorëve të huaj dhe u ktheva në fëmijërinë time. Por ashtu si Zvicra që pak nga pak u bë një shembull integrimi, kështu do të jetë edhe për Katarin”.
Infantino foli edhe për diskrimimin që ishte një nga fjalët kyç të deklaratës së tij.
“E di se çfarë do të thotë të jesh i diskriminuar, ashtu siç e di se ç’do të thotë të jesh i huaj në një vend. Kur isha fëmijë më bullizonin pasi kisha flokët e kuq, pasi isha italian dhe nuk e flisja mirë gjermanishten. Por ti pranon sfidën, provon të bësh miq, kontakte të reja, nuk i përgjigjesh fyerjes me fyerje. Sot jam krenar për FIFA-n, për këtë stemë mbi xhaketë, për këtë Botëror që do të jetë një event shumë i bukur, më i bukuri ndonjëherë”, tha kreu i qeverisë botërore të futbollit.
Më pas Infantino foli edhe për temën e të drejtave të njeriut duke mos kursyer ndonjë shigjetë për Europën.
“Erdha këtu 6 vjet më parë dhe nisa të merrem me problemet për punëtorët, duke nisur nga përcaktimi i kompensimeve për incidentet që ndodhin në punë. Nëse bëjmë dy hapa pas, Katari u ofron mundësi qindra mijëra punëtorëve emigrantë dhe këtë e bën në mënyrë ligjore. Ne në Europë mbyllim kufijtë, krijojmë të huaj ilegalë. Sa persona vdesin duke tentuar të hyjnë në Europë?. Duhet bërë si në Katar, të krijohen kushtet ligjore për punëtorët e huaj. Sigurisht reformat kanë nevojë për kohë, për vite e vite. Për ata që janë këtu në Katar si punëtorë të huaj, janë në mënyrë të ligjshme dhe kanë të gjithë ndihmën, edhe mjekësore. Këtu çdokush është i mirëpritur, pavarësisht besimit apo orientimit seksual që ka. Botërori është një rast i jashtëzakonshëm për të afruar botën perëndimore me atë arabe. Kemi një histori të ndryshme, vijmë nga kultura të ndryshme, por jemi pjesë e të njëjtës botë””, tha Infantino.
Në fund, numri një i FIFA-s e mbyll në këtë mënyrë.
“Vitin e kaluar kur talibanët rimorën kontrollin e Afganistanit dhe amerikanët lanë vendin, me ndihmën e Katarit ia dolëm të shpëtonim 160 persona që u mikpritën nga katariotët. Ndërkohë vendet europiane dhe amerikanët u mbyllën. Dhe për të parën herë në histori, 11 mijë persona fluturuan nga Izraeli në Doha, hebrenj dhe palestinezë në të njëjtët avionë”, deklaroi Infantino.
