Serie A

Inter – Milan, Seria A kulmon me derbin e Madoninës

Seria A kulmon këtë të dielë në orën 20:45 me derbin e Madoninës, Milan – Inter, një përballje historike që mbërthen para ekranit të apasionuarit e futbollit Italian. Në fakt, humbja e Juventusit në shtëpi me Lazion, falë një Strakoshe që mediat italiane e etiketuan një perëndi të zbritur nga qielli, por edhe suksesi i 8-të në po kaq ndeshje i Napolit, ka hapur skenarë të rinj në Serinë A. Pa u luajtur ende derbi, Interi e sheh veten në vendin e dytë, falë golaverazhit me të mirë se bardhezinjtë, por synimi “i zikaltërve” është të mos e lejojnë shkëputjen e Napolit dhe të krijojnë një distancë prej 10 pikësh me rivalët ndërqytetas.

Sa u përket formacioneve respektive, Spalleti do t’i besojë rreshtimit 4-2-3-1, me Handanovic në portë, në mbrojtje D’Ambrosio, Skriniar, Miranda, dhe Nagatomo; Vecino dhe Borja Valero do të ngrenë murin para mbrojtjes, ndërsa Candreva, Joao Mario dhe Perisic do të jenë në mbështetje të sulmuesit të avancuar Icardi.

Në krahun tjetër, Montella, në skemën 3-5-1-1, pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë këta lojtarë: G. Donnarumma; Musacchio, Bonucci, Romagnoli; Borini, Kessié, Biglia, Bonaventura, Rodriguez; Suso; André Silva.

Gjyqtari kryesor i këtij takimi është Tagliavento.

To Top