Serie A

Inter nxjerr ‘jashtë loje’ Juven, gati rinovimi me Icardin

Mauro Icardi po vijon i qetë pushimet verore, në prani të bashkëshortes menaxhere Wanda Narës, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për skuadrën e Interit.

Drejtuesit e zikaltërve, mes shumë operacioneve, duhet të mendojnë edhe për rinovimin e kapitenit, për të mos e humbur më pas kundrejt 110 milionë eurove, aq sa është e parashikuar në klauzolën mes palëve.

Mediat italiane raportojnë se gjatë kësaj jave ka pasur një telefonatë në drejtim të menaxheres së Icardit, ku drejtuesit i Interit i kanë shprehur gatishmërinë për të rinovuar.

“Gazetta dello Sport” raporton se Ausilio ka qetësuar Wandën, duke i thënë se ka gjetur tashmë paratë për të mbuluar diferencat në kuadër të Fair Play-t Financiar dhe se nuk rrezikon askush nga yjet e skuadrës.

Me miratimin e shoqërisë kineze “Suning”, Interi ka ndërmend t’i ofrojë Icardit një kontratë të re për 5 vitet e ardhshme, me një pagë prej 6.5 milionë eurosh, plus bonuse, duke bërë që në total të kapë rreth 8 milionë euro.

Nga ana tjetër, një nga kushtet e pandryshueshme të Interit për të rinovuar, është heqja e klauzolës prej 110 milionë eurosh, ose rritja e saj në 150 milionë euro.

To Top