Vetëm tri ditë pas zhgënjimit në Ligën e Kampionëve ndaj Realit të Madridit, Interi do të zbresë sërish në fushë, këtë herë në transfertën e Reggio Emilias përballë Sassuolos, skuadër që momentalisht mban vendin e dytë në renditjen e Serisë A.
Zikaltrit nuk i kanë bërë një nisje të mirë as kampionatit, pasi kanë grumbulluar 15 pikë në 8 javë dhe aktualisht janë 5 pikë larg kreut, ndaj duhet të marrin tre pikët në “Mapei Stadium” për të mos u larguar edhe më shumë.
Megjithatë Sassuolo mund të quhet një “mace e zezë” për Interin, pasi ka fituar 7 nga përballjet kokë më kokë, kundrejt 5 sukseseve të zikaltërve, ndërsa dy sfida kanë përfunduar në barazim.
Përballja mes Sassuolos e Interit do të startojë në orën 15:00, ndërsa tre orë më vonë Juventusi do të zbresë në fushë në transfertën ndaj Beneventos, ku do të kërkojë suksesin e radhës, qē do ta çonte më pranë kreut të renditjes.
Pirlo duket se ka gjetur ekuilibrat e duhur nē fushë dhe për transfertën e sotme ka lënë pushim edhe yllin portugez Cristiano Ronaldo, ndërsa vëmendja do të jetë te argjentinasi Dybala, i cili ende nuk e ka treguar veten këtë sezon dhe ka humbur vendin e titullarit.
Në mbrëmje vëmendja do të jetë në Bergamo, ku Atalanta do të përballet me Veronën në një sfidë mjaft të rëndësishme për zikaltrit e Gasperinit, që kanë fituar vetëm 1 nga 5 ndeshjet e fundit dhe kanë mbetur disi mbrapa në renditje.
Edhe Verona vjen pas një humbjeje në shtëpi përballë Sassuolos, por skuadra e Juriç nuk ka presion, pasi ka si objektiv vetëm renditjen në gjysmën e sipërme të tabelës, ndaj do të ishte e kënaqur edhe me një pikë në transfertën e sotme.
Të tre këto takime do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport.
