Sot pritet të mbahet Këshilli i Asamblesë së Interit, që do të aprovojë bilancin e sezonit të kaluar, deri më 30 qershor 2017, i cili pritet të miratohet më pas nga Asambleja e pronarëve, e parashikuar të mblidhet në fund të tetorit. Zikaltrit ia kanë dalë të mbyllin pozitivisht bilancin, duke respektuar Fair Play-n Financiar të vendosur nga UEFA dhe njëkohësisht duke shmangur penalizimet.
Por lajmi më i mirë për Interin sot ka mbërritur nga Kina, nga ku raportohet se Suning nuk është në listën e zezë të kompanive që u është ndaluar të investojnë jashtë dhe mund të vazhdojë të shpenzojë para për Interin.
Gjatë muajit gusht u përfol se qeveria kineze i ndaloi kompanitë vendase që të investojnë shuma të çmendura për futbollin jashtë shtetit, por sot u konfirmua përfundimisht se grupi që zotëron 70% të aksioneve të Interit është jashtë kësaj liste. Tani Suning mund të fillojë të shpenzojë që në merkaton e janarit, por natyrisht duke respektuar edhe normat e vendosura nga UEFA, për të shmangur penalizimet.
